Ndoshta kurrë më parë në historinë e saj Shqipëria nuk ka pasur një kapiten 26 vjeç, siç është sot Elseid Hysaj. Gjithmonë grupi i futbollistëve dhe zgjedhjet e trajnerëve kanë qenë të kufizuara, kapitenët e kanë mbajtur shiritin deri në centimetrin e fundit të karrierës. Sot është një Kombëtare ndryshe, zgjedhjet dhe alternativat janë gjithmonë e më të shumta. Një gjeneratë e artë kuqezi po vjen…
Kush e mendonte deri pak kohë më parë se një Shqipëri me shumë mungesa, pa Mërgim Mavrajn të tërhequr tashmë, pa Taulant Xhakën, Ledian Memushajn dhe Emanuele Ndojn jashtë liste, si dhe pa Ardian Ismajlin, Hysen Memollën dhe Ylber Ramadanin të dëmtuar, do të fitonte 0-2 në Bjellorusi. Jo vetëm kaq, por edhe stoli në këtë ndeshje kishte zgjedhje brilante, me Odise Roshin, Bekim Balajn të aktivizuar si zëvendësues, ndërsa Armando Sadiku, “heroi i Francës” dhe Myrto Uzuni, një nga lojtarët më në formë, nuk patën asnjë minutë. Për të mos përmendur kapriçozin Eros Grezda, të cilin trajneri Reja as që e llogarit dhe po harrohet.

Ndryshim i madh në sensin pozitiv, trajneri italian ka aq shumë alternativa, sa asnjë nga kolegët e tij kuqezi nuk i kanë pasur më parë. Tani “dhimbja e kokës” është për të përzgjedhur më të mirët, jo për vështirësitë në rast mungesash. Edhe më e bukur pritet të jetë e ardhmja, sepse Shpresat kanë një kontingjent shumë premtues, të mbushur me talente nga kampionati ynë dhe nga e gjithë Europa. Ajo fitore e thellë në Austri ishte sinjal i fortë. Fëmijët e emigrantëve shqiptarë të shpërndarë në Europë pas viteve ’90, tani janë gati për fanellën kuqezi. Le t’i marrim me radhë repartet për të kuptuar më qartë se çfarë Shqipërie po vjen…
Tomas Strakosha, titullari i portës, është 25 vjeç, luan me Lacion dhe e ka të ardhmen përpara. Të paktën edhe për 10 vjet porta është në duart e tij. Alternativat? Shumë të mira, Etrit Berisha është gati në çdo moment, ka përvojë të gjatë në Serinë A. Alban Hoxha është portieri i tretë për momentin, por te Shpresat po shkëlqen Gentian Selmani që luan në Turqi. Me 4 portierë kalibri, kuadrati është i sigurt.

Mbrojtja është nga të mirat edhe se e Kombëtareve me më shumë emër se Shqipëria, me emra të Serisë A, duke nisur nga kapiteni Elseid Hysaj, prej vitesh te Napoli. Berat Gjimshiti provoi edhe Ligën e Kampionëve me Atalantën, Kastriot Dermaku është pjesë e Parmës dhe Marash Kumbulla është mbrojtësi i ri më i kërkuar në treg. Ardian Ismajli sapo ka kaluar në Itali nga Kroacia, Frederik Veseli dhe Enea Mihaj janë alternativa shumë të mira, plus të riun e ardhur nga Interi, Ramen Çepele. Kurrë më parë kaq shumë lojtarë të një reparti të Shqipërisë nuk kanë luajtur në një nga 5 kampionatet më të fortë në Europë dhe të gjithë të rinj në moshë. Ndoshta “Thembra e Akilit” është krahu i majtë, i sistemuar për momentin me Lorenc Trashin.
Në mesfushë është konsoliduar dyshja Gjasula-Bare, Abrashi ndihmon shumë me përvojën e tij, Ndoj pritet të rikthehet shpejt dhe Selahi pret radhën. Janë thirrur së fundi edhe Qazim Laçi dhe Endri Çekiçi, por në momente të caktuara Reja mund të rikthejë edhe Xhakën e Memushajn. Roshi dhe Uzuni janë dy lojtarë të tjerë që mund t’i shërbejnë këtij reparti. Te Shpresat dhe Tirana po shkëlqen Jurgen Çelhaka, një lojtar mjaft premtues. Edhe Sherif Kallaku është një emër për t’u shënuar, sapo ka kaluar në Kroaci.

Dhe në fund sulmi, ku senatorët Sokol Cikalleshi dhe Bekim Balaj e kanë të qartë se me kalimin e kohës duhet t’u hapin rrugën të rinjve. Rei Manaj ka gjetur veten me Rejën, por shumë të rinj janë gati të marrin stafetën. Xhakomo Vrioni dhe Armando Broja, i pari pjesë e Juventusit (U-23) dhe i dyti pjesë e Çelsit, janë gati për hapin e madh. Albion Ademi dhe Ernest Muçi po ashtu presin shansin e tyre. Shumë, vërtet shumë lojtarë, sa që mund të themi pa frikë se kemi dy Kombëtare. E ardhmja duket në duart të sigurta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




