Pas tërheqjes kaotike nga Afganistani, ushtria amerikane po has vështirësi të mëtejshme të evakuojë stafin që ka punuar për vendet perëndimore nga aeroporti i Kabulit. Zyrtarët e lartë amerikanë kanë pranuar se kanë ndaluar pasditen e së mërkurës fluturimet, pasi një pjesë e personelit dhe punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane nuk janë lejuar nga talebanët të shkojnë në aeroport dhe janë arrestuar gjatë rrugës. Ata mësohet se kanë ngritur postoblloqe pranë aeroportit, duke sfiduar kështu ushtrinë amerikane.
Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, tha se talebanët po shkelin premtimet dhe se Shtetet e Bashkuara po u bëjnë presion që të lejojnë afganët të ikin përmes aeroportit të kontrolluar nga amerikanët. Kjo ka cuar në vonesa të mëtejshme të misionit të evakuimit, duke bërë që shumë avioni që priteshin të mbërrinin në Europë me mijëra emigrantë afganë, përfshirë edhe dy në vendin tonë, të shtynin fluturimet.
“Ne kemi parë raporte se talibanët, në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre ndaj qeverisë sonë, po bllokojnë afganët që duan të largohen nga vendi të shkojnë në aeroport”, u tha Sherman gazetarëve. Të paktën 12 persona mendohet të jenë ekzekutuar nga talebanët, por shtetësia e tyre nuk dihet ende.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, deklaroi nga ana tjetër se në aeroport ndodhen 4.500 personel ushtarak amerikan.
Ai tha se nuk ka pasur “ndërveprime armiqësore me talebanët” dhe se linjat e komunikimit me komandantët talebanë mbeten të hapura, por se grupi islamik po ndalon njerëzit që kanë punuar me SHBA-në.
“Evakuim nga aeroporti i Kabulit nuk është në nivelin e dëshirueshëm. “SHBA-ja nuk ka kapacitete aktualisht që të shkojë dhe të marrë numër të madh të amerikanësh dhe qytetarë afganë që kanë punuar jashtë aeroportit të Kabulit”, tha Austin, duke shtuar se çështja më madhore tani për tani është dërgimi i njerëzve deri në aeroport.
Nderkohe, Presidenti i SHBA, Joe Biden tha në intervistën e tij të parë për “ABC News” se trupat amerikane do të qëndrojnë në vend për të nxjerrë të gjithë qytetarët amerikanë.
“Nëse kanë mbetur qytetarë amerikanë, ne do të qëndrojmë derisa t’i nxjerrim të gjithë”, tha Biden për ABC News, duke nënkuptuar se ai do të merrte parasysh kërkesën e ligjvënësve amerikanë të cilët i kishin bërë presion atij për të zgjatur afatin e 31 gushtit për evakuim, si afat final.
I pyetur nëse ai mendon se trajtimi i krizës mund të kishte shkuar më mirë, Biden tha: “Jo”.
Më herët nga pamjet e videove të publikuara u shfaqen disa militantë në kryeqytet duke fshikulluar njerëzit që po përpiqeshin të arrinin në aeroport, ndërsa u dëgjuan edhe të shtëna me armë.
Forcat amerikane morën kontrollin e aeroportit të dielën për të siguruar largimin e personelit dhe afganëve që kanë punuar me forcat e huaja. Në të njëjtën ditë, talebanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul dhe hynë në Pallatin presidencial disa orë pasi presidenti, Ashraf Ghani u largua nga vendi.
Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se iu kanë dërguar mesazh talebanëve që nëse pengojnë operacionin e evakuimit, do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër. Biden të mërkurën fajësoi Ghanin për largimin nga vendi dhe forcat afgane që iu dorëzuan kaq lehtë talebanëve.
Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se deri në 10.000 amerikanë janë ende në Afganistan, së bashku me dhjetëra mijëra afganë që luftuan së bashku ose ndihmuan SHBA-të e që po përpiqen të largohen.
Nga ana tjetër, deklarata e presidentit Biden se disa afganë, “ende me shpresë për vendin e tyre”, nuk donin të largoheshin është kritikuar gjerësisht. Departamenti i Shtetit ka një numër të madh prej dhjetëra mijëra aplikimesh për viza nga ata që janë përpjekur prej vitesh të largohen nga vendi përpara tërheqjes së SHBA-ve. Data e tërheqjes është caktuar për më 31 gusht, megjithëse Biden tha të mërkurën se amerikanët nuk do të lihen pas.

Kaos i paralajmëruar
Ndërsa analistët kanë paralajmëruar prej kohësh se qeveria afgane do të ishte në rrezik të madh pa mbështetjen amerikane, ata nuk e parashikuan shpejtësinë me të cilën do të binte vendi në duart e talebanëve.
Kjo e papritur po ndez shqyrtime të menjëhershme të gabimeve të bëra, thanë zyrtarët aktualë dhe të shkuar amerikanë, duke folur vetëm në kushte anonimiteti sepse nuk janë të autorizuar të flasin publikisht për këtë temë.
Vetëm dy javë më parë, agjencitë e inteligjencës në njoftimet për ligjvënësit nuk dhanë asnjë paralajmërim se qeveria afgane po përballej me një kolaps të shpejtë, tha një zyrtar i njohur me zhvillimet.
Një vlerësim i mbrojtjes se Kabuli mund të dorëzohej brenda 30 ditëve – një vlerësim që u pa si pesimist kur u raportua javën e kaluar – doli të ishte shumë optimist. Për pak më shumë se një javë, talebanët pushtuan vendin dhe hynë në Kabul pa luftë. Ghani dhe ndihmësit e tij të lartë u larguan.
Gjeneral Mark Milley, Shefi i së Ushtrisë Amerikane, këmbënguli të mërkurën se ai nuk kishte asnjë sinjal për shpejtësinë e marrjes së kontrollit nga talebanët. “Nuk kishte asgjë shenjë që unë apo dikush tjetër pa që të tregonte një kolaps të kësaj ushtrie dhe kësaj qeverie, në 11 ditë,” tha ai.
Një zyrtar i lartë i inteligjencës tha se agjencitë nuk identifikuan rrezikun e një kolapsi të shpejtë të qeverisë afgane dhe u bënë “më pesimistë” gjatë disa muajve të fundit të ofensivës luftarake afgan.
“Thënë ndryshe, qeveria afgane ra edhe më shpejt nga sa kishim parashikuar,” tha zyrtari.
Analistët kanë paralajmëruar prej vitesh se tërheqja amerikane do të destabilizonte forcat afgane të trajnuara me shpenzime të mëdha amerikane dhe ende të varura shumë nga fuqia ajrore amerikane dhe grumbullimi i inteligjencës, thanë zyrtarët aktualë dhe të shkuar. Tërheqja gjithashtu do të rrezikonte dëmtimin e moralit të njësive afgane që kishin luftuar së bashku me forcat amerikane dhe të koalicionit për dy dekada dhe do të liheshin të përballeshin vetë me një taleban të rigjallëruar.
Një vlerësim i kërcënimit publik në prill paralajmëroi se forcat afgane “do të luftojnë për t’i mbajtur talebanët larg nëse koalicioni tërheq mbështetjen”.
Një zyrtar i administratës tha se komuniteti i inteligjencës i kishte raportuar Shtëpisë së Bardhë se një kolaps i shpejtë ushtarak pas tërheqjes do të ishte i mundur pasi talebanët morën kryeqytetet kryesore provinciale. Në fakt, kjo ndodhi brenda pak ditësh gjë që çoi në rënien e Kabulit.
Dhe rreziku i parashikuar ishte i kufizuar vetëm në Afganistan. Analistët kishin paralajmëruar gjithashtu se kërcënimet e reja terroriste do të kalonin kufijtë e vendi nëse talebanët do të merrnin pushtetin. Sipas një ish-zyrtari, një vlerësim parashikonte se një sulm terrorist në shkallë të gjerë mund të planifikohej në Afganistan brenda një deri në tre vjet pas tërheqjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




