“Jam i varfër dhe nuk mundesha, nuk kisha të ardhura që të rinovoja dokumentet”, tha përpara gjykatës një taksist që punonte si i tillë deri ditën kur policia rrugore e kontaktoi në rrugë dhe i kërkoi dokumentet.
Gjykata e Tiranës i tha Gazetasi.al, se 59-vjeçari me inicialet Xh.S., u dënua me 3 muaj burg, por vendimi u pezullua, me kushtin që ai të punojë dhe mos të shoqërohet me njerëz problematikë. Si rrethanë lehtësuese, nuk u mor pamundësia ekonomike, por dëshira e tij për të punuar në moshën 59 vjeç.
Sipas materialeve hetimore, taksisti po drejtonte automjetin në kërkim të klientëve, si çdo ditë të punës. Kur njëri nga efektivët e policisë rrugore është njoftuar nga salla operative, se 59-vjeçari punonte me licencë të falsifikuar, polici ka kërkuar ta ndalojë dhe shoferi është bindur.
“Pas këtij informacioni, shërbimet e policisë rrugore kanë shkuar në afërsi të kryqëzimit të ‘21 Dhjetorit’, ku ndodhej automjeti i mësipërm dhe i kanë kërkuar të pandehurit dokumentacionin e automjetit. Drejtuesi i mjetit, i ka dhënë dokumentet punonjësit të policisë, “Licencë”, me numër serie Tr…”.
Licenca, sipas policisë, u bllokua, pasi ajo mbante datën e prodhimit 2016, ndërkohë që efektivi i policisë, thotë se “licenca duhet të ishte e falsifikuar”.
I pyetur se çfarë e shtyu të ndalonte taksistin, oficeri i policisë rrugore të Tiranës, i thirrur nga gjykata, ka konfirmuar se ai e kontrolloi taksinë, pasi iu kërkua nga salla operative që nuk dihet se nga e siguroi këtë informacion.
“…Më datë 21.09.2021, kam qenë i planizuar me shërbim tek kryqëzimi i ‘21 Dhjetorit’. Kam marrë njoftim nga salla operative se aty ndodhej një taksi, e cila punonte pa licencë. Unë kam kaluar në vendin e raportuar, kam konstatuar taksinë dhe kur më pa mua, shoferi filloi të lëvizte mjetin. Unë e kam ndaluar, i kam kërkuar dokumentacionin dhe patentën, leje qarkullimi të mjetit, siguracion, kontrollin teknik, dëshminë e taksistit, si dhe licencën e taksistit. Shtetasi ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar nga unë dhe gjatë kontrollit kam konstatuar se licenca për ushtrimin e aktivitetit, i kishte mbaruar në vitin 2016, pjesa tjetër e dokumentacionit ishte e rregullt. Jam lidhur me sallën operative, e kam vënë në dijeni për faktin që kam konstatuar dhe pasi kam komunikuar dhe me shefin e trafikut, më ka komunikuar se do ta shoqëroja për në komisariat dhe do t’i përpiloja procesverbalin e konstatimit të shkeljes dhe do ta dërgonim për komision. Kam hipur me drejtuesin e mjetit për në komisariat dhe gjatë rrugës, ai po insistonte që t’i ktheja licencën. Unë i kam thënë, se licenca nuk kishte pse t’i duhej, duke qenë se kishte mbaruar dhe atë do ta paraqisja në komision. Shtetasi më ka thënë se nuk e kishte të rregullt. Unë në këto kushte, kam lajmëruar shefin e trafikut, Taulant Gjoka dhe ai më ka thënë ta shoqëroja deri në komisariat dhe me pas do ta shoqëronin për tek DVP Tiranë”.
Taksisti dëshmon dhe thotë në gjykatë, sipas burimeve të Gazetasi.al, se ai nuk bëri gjë tjetër, përveç se u përpoq të mos humbiste punën. Xh., shton se u detyrua të gjejë një rrugë tjetër, duke falsifikuar dokumente, pasi i kishte përfunduar licenca për ushtrimin e aktivitetit dhe nga kriza ekonomike që po kalonte në familje, nuk i dha mundësinë dhe kohën që të riaplikonte për licencë. Ai i kërkoi një qytetari që ta pajiste me një dokument fiktiv.
“E prodhova për 1500 lekë, kaq pagova dhe nuk e kam përdorur fare, madje e kam harruar mes dokumenteve të makinës”, – mbrohet i akuzuari.
Por sipas dosjes së vendosur në dispozicion Gazetasi.al, fillimisht prokuroria është paraqitur në gjykatë me kërkesën për ta pushuar hetimin, duke kundërshtuar paraprakisht gjetjet e Policisë Rrugore të Tiranës, e cila e kishte mbajtur disa orë të shoqëruar në policinë vendore.
Gjyqtari paraprak, pasi ka vërejtur se akuza u dorëzua dhe nuk pranoi ta dorëzojë të pandehur taksistin, që deklaron se nuk bëri gjë tjetër, përveç se po punonte, i lë, sipas burimeve të Gazetasi.al, disa detyra prokurorisë, mes tyre pyetja nëse taksisti ka qenë ndonjëherë i pajisur me licencë për transport udhëtarësh.
“Po, konfirmon Bashkia e Tiranës, këtij shtetasi i është lëshuar licenca me afat vlefshmërie nga prilli 2009 deri më prill 2014“. Detyra tjetër e gjykatës, është pyetja: a është apo jo ky dokument i falsifikuar? Që është e qartë se është.
Megjithatë, ndërhyrjet në dokument, duke i shtuar afatin, konsiderohen si falsifikim, ndaj gjykata përpiqet ta lehtësojë pozitën e tij, duke këmbëngulur se dokumenti nuk ishte falsifikuar prej tij, por nga dikush tjetër. Taksisti thjesht donte ta përdorte për të punuar.
Në përfundim, gjykata shpall se 59-vjeçari nuk duhet të bëjë asnjë ditë burg dhe se verdikti i fajësisë ndaj tij pezullohet. “Ndërsa nga ana objektive, nuk duhet që i pandehuri me veprime aktive të kundërligjshme, të paraqesë dokumente të rreme (falsifikim intelektual) ose të fshijë apo ndryshojë mekanikisht përmbajtjen e dokumentit, duke paraqitur të dhëna të rreme (falsifikim material), megjithëse dokumenti nuk është falsifikuar prej tij, por është përdorur nga ana e tij”, – vlerëson gjykata, sipas dokumentit të Gazetasi.al.
Por gjykata kësaj radhe merr parasysh disa rrethana lehtësuese për taksistin, duke ndërthurur nevojën për punë prej tij, pendesën dhe mungesën e rrezikshmërisë.
Ndaj deklaron se u tregua tolerante, duke marrë parasysh “faktin që, kjo vepër penale është kryer me dashje direkte nga i pandehuri me qëllim realizimin e punës si taksist edhe pse nuk është i licencuar. Rrethanat lehtësuese, ku në rastin konkret i pandehuri ka treguar në gjykim pendim të thellë, fakt i cili përbën rrethanë lehtësuese parashikuar faktin se i pandehuri nuk është përsëritës, faktin që ai nuk i është shmangur hetimit dhe gjykimit, gjykata i çmon si rrethana lehtësuese”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




