Ka ndodhur

Furnizonte grupet kriminale me armë, arrestohet ish-ushtaraku-‘taksist’ në Tiranë

Gazeta Si – Një ish-ushtarak 46-vjeçar, i punësuar si taksist, është arrestuar, pasi dyshohet se furnizonte grupe kriminale me armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Sipas njoftimit të policisë, Altin Celami përdorte taksinë e tij për të transportuar armët dhe municionin luftarak, në mënyrë që të shmangte kontrollin policor.

Gjatë kontrollit të kryer në automjet, banesë dhe kontrollit fizik, blutë sekuestruan: 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me automjetin.

Sipas burimeve, 46-vjeçari Altin Celami kishte pak kohë që kishte dale nga burgu. Ai ka qenë i arrestuar më datë 4 tetor të vitit 2022 për armëmbajtje pa leje.

Celami deri në vitin 2022 ka qenë ushtarak në repartin e Pezë Helmës në Tiranë. Kur u arrestua në vitin 2022, u perjashtua edhe nga ushtria.

Ndërkohë grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë