Nga Gazeta ‘SI’ - Ndryshimet e reja në taksimin e të ardhurave që hyn në fuqi më 1 janar 2024, prekin një fushë shumë të diskutuar, atë të platformave digjitale.
Qeveria parashikon që çdo shqiptar që merr të ardhura nga Google, TikTok, Instagram etj do të taksohet sipas skemës që aplikohet për pagat, 13 deri në 23%. Të paktën pagesat që do të jenë të deklaruara.
Po ashtu, edhe pronarët/bizneset që përdorin platformat e rezervimit të banesave, si Airbnb apo Booking do të taksohen sipas pagesave që marrin.
Por këtë herë qeveria është siguruar që nga të mos ketë devijime. Edhe në rast se pagesat nuk deklarohen nga këta persona, në fund të vitit ata do të jenë të detyruar të plotësojnë DIVA, Deklaratën Vjetore Tatimore.
Në të njëjtin udhëzim, ministria e Financave parashikon edhe taksimin e shqiptarëve që punojnë për kompanitë e huaja, kryesisht remote. Theksohet se në rast se Shqipëria ka një marrëveshje të eleminimit të tatimit të dyfishtë me atë vend, zbatohet ai ligj. Nëse jo, ata taksohen me 15%.
Të ardhurat nga letrat me vlerë dhe mjetet virtuale
Të ardhurat që rezidentët shqiptarë marrin nga titujt apo instrumentet financiare do të tatohen po me 15%, por baza e tatueshme është diferenca ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes të këtyre aseteve të tjetërsuara. Çdo shpenzim që lidhet drejtpërdrejt me blerjen dhe shitjen e titujve apo instrumenteve financiare, si për shembull shpenzimi i brokerimit etj., për qëllime të llogaritjes së bazës tatimore, nuk shtohet apo zbritet përkatësisht.
Shembull. Një klient ka blerë aksionin e shoqërisë X në treg të rregulluar/Bursë, apo në një platformë shumëpalëshe tregtimi ose në një platformë të organizuar tregtimi me çmimin 10,000 lekë/aksion. Pavarësisht se klienti (individi) duhet të paguajë edhe komisionin e brokerimit që mund të jetë 1% e vlerës së transaksionit, për efekt tatimor, çdo shpenzim as nuk shtohet, as nuk zbritet përkatësisht. Nëse ky klient e shet këtë aksion me çmim 12,000 lekë, pavarësisht komisionit të brokerimit, baza tatimore në këtë rast është diferenca 12,000–10,000=2,000 lekë/aksion. Tatimi që duhet të paguajë individi X, është 300 lekë (2,000 * 15%).
Nëse të ardhurat e tatueshme nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare rezultojnë me humbje në një vit tatimor, një humbje e tillë mund të kompensohet me të ardhura të tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare të tjera në të njëjtin vit tatimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.