Nga Gazeta ‘SI’ - Borxhi tatimor i biznesve shqiptare u rrit me rreth 12 mld lek gjatë vitit 2022, duke arritur në vlerën e 146.7 mld lekëve në fund të vitit, ndonëse numri i borxhlinjve u ul.
Shifrat kanë dalë nga auditimi i fundit i KLSH-së tek Drejtoria e Tatimeve, ku tregohet se nga janari në dhjetor 2022, ndonëse borxhi i bizneseve u rrit ndjeshëm, numri i subjekteve që me këtë detyrim është reduktuar me rreth 10 mijë. Kjo tregon se është rritur vlera e detyrimit të pashlyer nga subjektet që ishin tashmë debitore. KLSH thotë se 18 subjekte mbajnë 30% të këtij borxhi, duke kaluar vlerën e 100 mld lekëve.
Subjektet pasive, rreth 111 mijë mbajnë pjesën më të madhe të borxhit të papaguar, 106 mld lekë ose 72% të totalit.
Sipas ndarjes gjeografike, pjesën më të madhe të këtij borxhi ndaj shtetit e kishin bizneset e lokalizuar në rajonin qendror, 108 mld lekë, me një rritje 8 mld lekësh gjatë vitit. Sipas KLSH janë më shumë se 123 subjekte. Bizneset VIP, pra tatimpaguesit e mëdhenj, kanë një detyrim tatimor të paguar rreth 13.4 mld lekë, me një ulje të lehtë nga fillimi i vitit. Ky borxh është i shpërndarë në 257 kompani.
Detyrimet e papaguara tek Tatimet janë më së shumti të akumuluara, pothuajse 50% e borxhit janë detyrime 5 vjeçare. Ato nga 2 deri në 5 zënë rreth 30% të totalit.
Për sa i përket gjendjes së stokut të detyrimeve të papaguara në afat sipas llojit të tatimit, rezulton se zëri TVSH me peshën më të madhe në stokun e detyrimeve të papaguara në afat, 36% me një vlerë prej rreth 52 mld lekë, ndjekur nga Tatim-Fitimi me 29% ose në vlerën prej rreth 42.7 mld lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.