Taksa

Taksa e shërbimit hotelier / Turistët në Shqipëri s’qëndrojnë pak por subjektet nuk i deklarojnë

Nga Gazeta ‘SI’ - Gjatë vitit 2022, një rigjallërim i fortë i aktivitetit turistik rriti me pothuajse 60% të ardhurat nga taksat e shërbimit hotelier. Por përkthyer në vlerë nominale, të ardhurat nga kjo taksë janë vetëm 291 mln lekë dhe pothuajse gjysma është mbledhur në Tiranë e shumë më pak vendet bregdetare.

Raporti i fundit i Co-Plan mbi financat vendore, tregon se 10% ishin në bashkinë Kavajë, ndjekur nga bashkitë Durrës (9%), Vlorë (7%), Sarandë dhe Shkodër me rreth 6% respektivisht.

Por këto nuk janë shifrat reale, këto janë thjesht ato të deklaruara.  

I njëjti raport thekson se në vitin 2021, 27 bashki nuk regjistronin fare të ardhura nga taksa e shërbimit hotelier dhe 21 të tjera regjistronin vetëm 1% të asaj çfarë gjenerojnë në të vërtetë, përfshirë bashkitë e zhvilluara.  

Informaliteti, ngërçi më i madh i sektorit turistik vendas, shfaqet në forma të ndryshme si mos regjistrimi i strukturave akomoduese apo kapaciteteve reale, mos deklarimi i net qëndrimeve apo deklarimi i numrave fiktivë të turistëve etj. Pra ekziston një hendek i madh në numrin e strukturave akomoduese të deklaruara përkundrejt atyre që realisht ushtrojnë aktivitetin në territor.

Kjo prodhon dy probleme.

E para është efekti i drejtëpërdrejtë: financat vendore. Bashkitë humbasin miliarda lekë nga mosdeklarimi i këtij aktiviteti, të ardhura që mund të përdoren po në të mirë të turizmit, infrastrukturës dhe strukturave. Deri në vitin 2015 kjo taksë përbënte 25% të totalit të të ardhurave të bashkive, por që atëherë rënia ka ardhur në mënyrë progresive.

Problemi i dytë është ai i statistikave zyrtare. Për raportet e tilla, ka një koordinim midis institucioneve dhe operatorëve privatë, që zakonisht, finalizohen nga INSTAT. Specifikisht, kur Instituti publikon trendin e netë qëndrimeve apo kapacitetet shfrytëzuese del që turistët qëndrojnë mesatarisht 3 ditë. Ndonëse totali i tyre ka ardhur duke u rritur, statistikat e netë qëndrimeve bien. Shifra të tilla çojnë në konkluzione dhe vendimmarrje të gabuar.

Gjithsesi, një pjesë e turistëve zgjedhin natyrën apo opsione që janë jashtë sistemit të kontrolluar, por ato janë në shifra shumë të papërfillshme, pa i shkaktuar dëm domethënës financave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë