Taksa për pijet me sheqer mund të ketë parandaluar më shumë se 5000 raste të obezitetit çdo vit tek vajzat.
Ekspertët e Universitetit të Kembrixh analizuan ndikimin e taksës së sheqerit, e cila hyri në fuqi në vitin 2018 në Britani si pjesë e planeve për të trajtuar obezitetin tek fëmijët.
Taksa ka bërë që kompanitë të riformulojnë pijet e tyre që të përmbajnë më pak sheqer dhe kompanitë që nuk e bëjnë këtë duhet të paguajnë një taksë.
Studimi i ri, i botuar në revistën PLOS Medicine, shqyrtoi ndikimin e taksës tek fëmijët e moshës 4 dhe 5 vjeç dhe 10 dhe 11 vjeç, 19 muaj pas hyrjes në fuqi të taksës.
Studiuesit gjithashtu gjurmuan ndryshimet tek fëmijët midis 2014 dhe 2020, duke krahasuar se çfarë do të kishte ndodhur nëse taksa nuk do të ishte futur.
Të dhënat zbuluan se taksa e sheqerit duket se ka pasur një efekt të matshëm në nivelet e obezitetit të vajzave, duke çuar në një rënie prej 8% të obezitetit dhe duke parandaluar 5234 raste të obezitetit në vit.
Reduktimet ishin më të mëdha (9%) tek vajzat që frekuentonin shkolla ku nuk shërbehej dreka.
Ajo që u vu re ishte se nuk kishte asnjë ndryshim tek djemtë dhe kjo mund të jetë sepse ato priren të besojnë më shumë reklamat e kompanive dhe faktin se produktet energjetike rrisin performancën e tyre atletike.
Gjithashtu vajzat kanë më shumë gjasa se djemtë të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme ushqimore dhe pijesh.
Nina Rogers, autore e studimit tha se duhet urgjentisht të gjenden mënyra për të trajtuar numrin në rritje të fëmijëve që vuajnë nga obeziteti.
Edhe Jean Adams i cili ishte i përfshirë në studim thotë se taksa e sheqerit ishte një hap i madh në adresimin e këtij problemi.
Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




