Nga Gazeta ‘Si’-Çmimet e referencës mbi të cilat llogaritet taksa e ndërtesave, pas 32 zonave kadastrale në Tiranë, janë rritur edhe për njësitë administrative.
Nga 13 të tilla, në 5 prej tyre, përkatësisht në Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Prezë, çmimet fiskale janë rritur nga 29 deri në 73%.
Nga këto njësi, rritja më e lartë është në Farkë me 73% ku çmimet fiskale në këtë zonë nga 66.500 arrijnë në 115.200 lekë për metër katror.
Farka ndiqet nga Petrela dhe Preza ku rritja e çmimeve fiskale është 60%.
Rritja më e ulët është në Kashar, me 29% ku çmimet u rritën nga 53.500 në 69.000 lekë për metër katror ndërsa në Dajt, çmimet nga 53.500 arrijnë në 75.500 lekë për metër katror, duke njohur një rritje prej 41%.
Në rrethe çmimet fiskale kanë mbetur të pandryshuara.
Në 2019, me ndryshimet që pësoi vendimi i vitit 2018 “Për metodologjinë e përcaktimit të vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme”, ndryshuan çmimet referuese të apartamenteve në bashkitë Pustec dhe Dropull, ku vlerat u rritën respektivisht me 66.6% dhe 12.5%. Në bashkinë Divjakë çmimet u ulën 20%.
Rritja e çmimeve të referencës pritet të rrisë vlerën e taksës së pronës për qytetarët dhe bizneset. Taksa mblidhet nga pushteti vendor nëpërmjet faturave të ujësjellësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.