Treg

Taksa e Kosovës për produktet serbe rrit transportin hekurudhor

Transporti hekurudhor po njeh trend rritës në Kosovë dhe siç e shpjegojnë vetë bizneset vendase, këtë hov ia faturojnë kryesisht taksës 100% ndaj produkteve serbe.

Bizneset në Kosovës konfirmojnë se po e shfrytëzojnë gjithnjë e më tepër infrastrukturën hekurudhore për transportin e mallrave nga vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gjysmën e parë të këtij viti 153 mijë tonë mallra të ndryshme janë transportuar me tren. Krahasimisht me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rezulton me rritje prej 59 për qind.

Sipas përfaqësueseve të komunitetit të biznesit në Kosovë, një nga arsyet e rritjes se transportit me tren lidhet me shpenzimet më të favorshme financiare. Por, arsyeja kryesore, konfirmohet të jetë taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovinë, e cila i ka detyruar bizneset që të shmangin importin nga këto dy vende dhe të gjejnë tregje të reja për furnizim në vendet e Bashkimit Europian.

Mallrat që më së shumti transportohen përmes transportit hekurudhor me tren janë xehet e nikelit, të ndjekura prej produkteve të drurit, e të tjera, të cilat kryesisht vijnë nga Gjermania, Sllovenia dhe Kroacia.

Një ndër kompanitë që shfrytëzon linjën hekurudhore është kompania “Etika” nga Suhareka, që merret me shitjen e laminatit, dyerve dhe dritareve.
Kjo kompani sipas drejtuesëve të saj transporton me tren, për arsye se është më lirë dhe bartin sasi më të madhe, sasi kjo që nuk mund të transportohet me kamionë. Transporti realizohet nga shteti i Gjermanisë.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë gjithashtu se arsyeja e rritjes së sasisë se produkteve të importuara përmes transportit hekurudhor ndërlidhet edhe me taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Pas vendosjes së taksës, çmimi i transportit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja është rritur, kështu që bizneset si alternativë më të favorshme përdorin shfrytëzimin e transportit përmes linjave hekurudhore për importin e mallrave nga vendet e tjera europiane.

Por infrastruktura hekurudhore në Kosovë aktualisht vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, mandej veprimtaria hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara.

Shpejtësia e trenave, për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, mund të zhvillohet në 50 kilometra në orë, kurse me rinovimin e hekurudhave, trenat do të qarkullojnë deri në 150 kilometra në orë.

Modernizimi i infrastrukturës hekurudhore do të rriste edhe më shumë transportin e mallrave, sipas ekspertëve që, me gjithë rritjen qarkullimit të mallrave me tren, kjo alternativë shfrytëzohet në mënyrë minimale, për shkak të infrastrukturë së dobët.

Por, bizneset këtë dobësi e kanë për shkak se aktualisht hekurudhat e Kosovës nuk kanë mundur të ofrojnë shërbime të ndryshme për operatorë të ndryshëm ekonomikë dhe kjo ka bërë që bizneset të orientohen ose në porte të ndryshme, si atë të Durrësit, Selanikut apo Tivarit dhe nga atje të bartin mallrat më maune të ndryshme. Kurse në të kaluarën, hekurudhat kanë zënë vend të rëndësishëm në zhvillimin ekonomisë së vendit, transportit dhe rritjes së forcës konkurruese të shumë operatorëve ekonomikë, që kanë përdorur hekurudhat si mundësi më e lirë për transport.

Në fillim të këtij viti ka nisur rehabilitimi i segmentit të parë hekurudhor, Prishtinë- Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, që pritet të përfundojë në vitin 2021.
Ndërkohë, është paralajmëruar që së shpejti të fillojë edhe linja e dytë, që përfshin rrjetin hekurudhor Prishtinë – Leshak, në kufirin me Serbinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë