Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha që dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të pjesshme të marsit me argumentin se në këtë mënyrë i hapte rrugë bashkimit të partisë i është rikthyer disa takimeve në bazë që në dukje ngjasojnë sporadike në cilësinë e deputetit të PD.
Por me kalimin e ditëve zhvillimet nuk duken aq. Burimet nga njerëz të afërt të ish-kryetarit të demokratëve thanë se Basha ka zhvilluar një takim në Mallakastër të premten në mbrëmje me disa drejtues grupseksionesh dhe ish-kryetarë të PD-së, që janë zgjedhur në kohën e drejtimit të tij. Në takim kane qenë edhe Agron Kapllanaj dhe Roland Sejko. Palët në takim, janë treguar mjaft të rezervuar për objektin e bisedës ndërsa konfirmojnë se takimi nuk ka shkuar aq i qetë, kryesisht një formë llogaridhënie për Bashën për betejat e humbura të tij.
Vetë Basha kishte lajmëruar në një rreth të ngushte se do të dilte në fund të shtatorit me një qëndrim publik, por me pas e anuloi pa dhënë shpjegime.
Në anën tjetër deputetë që dikur ishin mbështetës të tij janë shprehur se nuk e shohin më si kryetar partie, ndërsa Enkelejd Alibeaj kryetari i grupit të PD, që njihet si mbështetësi kryesor i tij po përdor lojëra fjalësh politike se PD do të ketë kandidatët e saj në zgjedhje por pa specifikuar së fundmi opozita në përgjithësi apo vetëm PD në veçanti.
Një version që po e rrezojnë deputetë të tjerë të rreshtuar krah tij që kërkojnë bashkimin e gjithë opozitës. Por si arrihet kjo? Askush nuk e jep formulën, ndërsa Basha vijon me disa takime informale që gjithësesi nuk do ta sillnin në skenën politike shqiptare pa ide konkrete.
Sali Berisha në anën tjetër e përjashton që ai të jetë faktor në zgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie, duke i kujtuar së më së pari Basha duhet të sqarojë të vërtetat e tij nëse ka marrë fonde të jashtëligjshme ruse përmes lobimit në fushatën e zgjedhjeve të 2017-ës. Mbështetës të Bashës në anën tjetër si Gazment Bardhi apo Enkelejd Alibeaj e shohin veten te përjashtuar nga ky debat edhe pse sigurojnë në parim se PD-ja nuk ka marrë asnjëherë fonde ruse.
Vetë Basha ka dhënë një përgjigje të vakët për fondet e lobimit duke iu referuar vendimit të drejtësisë që në thelb nuk tregon asgjë.
A do të dalë publikisht Basha të sqarojë jo vetëm këtë debat por edhe se cilat janë synimet e tij politike? Apo do të presë të testojë bazën, vendimet e Apelit, në mos edhe zgjedhjet e ardhshme lokale për të bërë lëvizjen e tij? Të gjitha variantet janë të hapura. Ai që duhet t’i sqarojë është vetë Basha që ende nuk po duket publikisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.