Futboll

Takimi vendimtar për Messin, City ofron gjysmë miliardi euro në pesë vjet

Manovrat për çështjen më të rëndësishme të merkatos në vitet e fundit vazhdojnë në aksin Rosario-Barcellona-Manchester. Sipas “El Mundo Deportivo”, Jorge Messi, babai i Pleshtit që aktualisht ndodhet në Argjentinë, ka në program një udhëtim në Katalonjë në ditët e ardhshme e të mërkurën mund të takohet me presidentin Bartomeu. Objektivi është ai për të arritur një zgjidhje paqësore e për të çuar në fund një ndarje pa patur nevojë për betejë ligjore. Ndërkohë, City qëndron në pritje: klubi i Pep Guardiola pret që Leo të lirohet me parametër zero e ndërkohë përgatit mirëseardhjen, duke punuar për një prezantim në stil madhështor e një rrogë të përbindshme: gjysmë miliardi në pesë vjet.

Sipas gazetarit brazilian Marcelo Bechler, që ishte i pari që dha lajmin se Messi do të largohej nga Barça, klubi anglez ka marrë kontakt me një shtëpi marketingu për tu marrë me imazhin e mirëseardhjes për argjentinasin. Citizens, ndër të tjera, kanë gati ofertën ekonomike: një rrogë prej 50 milionë euro në sezon për pesë vjet, plus një bonus prej 250 milionë euro. Në total gjysmë miliardi euro. Lajmin e ka publikuar e përditshmja katalanase “Sport”, duke shpjeguar se kontrata parashikon tre sezone në Premier League e dy në MLS, në radhët e New York City, skuadra tjetër e City Football Group të Mansour, në të cilën Leo do të mbyllte karrierën në 2025, në moshën 38 vjecare.

Gjithçka, natyrisht, kalon nga marrëveshja midis 6 herë Topit të Artë dhe ekipit në të cilin ai u rrit. Klubi po kërkon një zgjidhje sa më civile , por palët qëndrojnë në pozicione diametralisht të kundërta. Messi është i bindur se ai mund të lirohet duke shfrytëzuar një klauzolë në kontratën e tij, Barcelona (si dhe La Liga) mbetet e idesë që për ta lënë të lirë duhen paguar 700 milion euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë