Nga Gazeta ‘Si’ – Ish-ambasadori Arben Çejku, i cili ka shërbyer në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, i sheh me sy kritik marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Në një intervistë për Gazetasi.al Çejku nuk tentoi të vendosë gishtin se kush e ka fajin për këtë situatë jo të pëlqyeshme, por ai përpiqet të nxjerrë në pah problemet e krijuara nga sjellja e dy udhëheqësve kryesorë.
“Ngrica e marrëdhënieve mes dy kryeministrave dhe, më tej akoma, mes institucioneve, ka ndikuar në marrëdhëniet ekonomike e më gjerë, tek turizmi, kultura, arsimi, diplomacia etj. Qasja paternaliste e Tiranës nuk ka sjellë produktivitet, ashtu sikundër qasja sovranisto – izolacioniste e Kurtit, ka shkaktuar dëme.”- u shpreh Çejku.
Ai beson se mbledhjet e parlamenteve në Prishtinë janë një hap pozitiv, por nuk zgjidhin ngërçin mes dy vendeve, të krijuar kur, rreth 1 vit e gjysmë më parë, Shqipëria anulloi mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në Gjakovë, pas sulmeve në veri të vendit dhe mosmarrëveshjeve mes Prishtinës dhe Brukselit. “U duk se as Kurti e, as Rama, nuk e donin këtë takim “vëllazëror” të parlamentarëve për të nxjerrë ndonjë produkt serioz e të dobishëm, por e përdorën parlamentin, secili për hesap të tij, si tribunë fjalimesh paraelektorale.”- u shpreh Arben Çejku.
Në intervistën për Gazetasi.al ai sjell pikëpamje me interes në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke analizuar edhe kërkesat e Tiranës dhe Prishtinës për njëra-tjetrën, përkatësisht, për ngrirjen e dialogut me Serbinë dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Gazeta Si: Çfarë mesazhi dha mbledhja e dy Parlamenteve në Prishtinë, jo vetëm nga simbolika e takimit, por edhe përmbajtja e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë?
Arben Çejku: Në këndvështrimin e përgjithshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje, kjo mbledhje kishte rëndësi simbolike pozitive për të treguar rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar në kuadër të frymës europianiste të integrimit. Kjo mbledhje, me një protokoll më të kufizuar fjalimesh, mund të mbahet në të ardhmen edhe me parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Por, në rastin e Kosovës, e cila nuk është vetëm një shtet fqinj, por më shumë se kaq, kjo mbledhje nxori në pah shumë problematika të marrëdhënieve ndërinstitucionale që ne kemi me Kosovën. E parë nga këndvështrimi i formës, vajtja e parlamentit (parlamentarëve të Shqipërisë) në Kosovë, dukej si një plotësim i boshllëkut të krijuar nga mungesa e mbledhjeve tradicionale të përbashkëta të të dy qeverive. Kryeministri Rama, i kritikuar vazhdimisht për anullimin e mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare (të përcaktuar në Gjakovë) si dhe për qëndrimet e tij ndaj qeverisë Kurti dhe në përgjithësi ndaj Kosovës, gjeti një formë të “avancuar” të mbledhjeve të përbashkëta, duke kaluar nga mbledhjet e qeverive, tek mbledhjet e parlamenteve. Pra, njerëzit, mund t’i thonë Kurtit në Prishtinë se “Rama nuk të solli qeverinë me disa ministra, por të solli gjithë parlamentin e Shqipërisë”.
Duke qëndruar në vlerësimin e këtij takimi nga këndvështrimi formal, mund të shtoj gjithashtu se ai nxori në pah akoma më shumë dallimet që janë mes krerëve të qeverive dhe shteteve tona, duke na zhgënjyer si komb dhe po ashtu duke krijuar një figurë tragji-komike në sytë e atyre që nuk e duan Kosovën dhe ndikohen nga albanofobia. U duk se as Kurti e, as Rama, nuk e donin këtë takim “vëllazëror” të parlamentarëve për të nxjerrë ndonjë produkt serioz e të dobishëm, por e përdorën parlamentin, secili për hesap të tij, si tribunë fjalimesh paraelektorale. Kurti e ka betejën ekzistenciale elektorale në Shkurt, por edhe Rama nuk e ka më të lehtë në Maj. Shfaqja parlamentare në Prishtinë u përpoq të japë sinjale më shumë për botën sesa për vetë shqiptarët. Rama kërkon të ruajë primatin e liderit përfaqësues të shqiptarëve tek administrata e re Trump me shpresën se mund ta mbajnë në lojë edhe pas zgjedhjeve të Majit 2025.
Nga ana e tij, Kurti, si gjithnjë, e përdori këtë takim për t’u treguar shqiptarëve të Kosovës dhe më tej, se ai dhe Rama nuk kanë kurrfarë pajtimi dhe bashkëpunimi dhe këtë e tregoi edhe formalisht, kur injoroi letrën e Ramës apo kur takimi mes tyre ishte si të takoheshin Koreja e Veriut me Korenë e Jugut. Nga këndvështrimi përmbajtësor, mund të them se takime të tilla janë të dobishme, por duhen bërë kryesisht në fillim të legjislaturave dhe jo në fund të tyre. Të dy parlamentet, pas disa muajsh do të pësojnë ndryshime të mëdha në përbërjet e tyre, prandaj një mbledhje e tillë duhet të organizohet nga kryeparlamentarët e rinj, pa pjesëmarrjen e Kryeministrave dhe të ketë një përgatitje më të mirë profesionale, që ato të kenë vlerë dhe ndikim. Uroj që në të ardhmen, takimet ndërparlamentare Kosovë-Shqipëri e anasjelltas, të jenë më të shpeshta, më të organizuara dhe përmbajtësore. P.sh, simbolikisht, në Prishtinë, mund të votohej rezoluta që dënon genocidin serb në Kosovë . Kjo do të kishte më shumë peshë politike, sesa të gjitha fjalimet “patriotike” që u mbajtën aty. Pra, ne kemi nevojë të jemi më përmbajtësorë dhe më larg tallavasë politike.
Gazeta Si: Kryeministri Edi Rama i propozoi qeverisë së Kosovës të ngrijë dialogun me Serbinë dhe të përparojë në dialogun me BE. Sa i shërben kjo këshillë Kosovës?
Arben Çejku: Mendoj se këshilla të tilla të pakërkuara (që zakonisht jep zoti Rama) nuk adresojnë ndonjë zgjidhje dhe nuk e ndihmojnë Kosovën. Me këtë tezë, ai i shërben strategjisë serbe të status quo-së, në të cilën ndodhet Kosova, në raport me Serbinë. Në vend që të shtohet presioni mbi Serbinë për të njohur Kosovën, sugjerohet që Kosova të ngrijë dialogun, nga i cili kërkohet njohja e pavarësisë.
Në kushtet kur administrata Trump pritet të investohet për zgjidhjen e këtij problemi mes Prishtinës e Beogradit, Rama këshillon shmangie nga zgjidhja duke i dhënë kohë Serbisë që të riorganizohet më mirë për të mbajtur Kosovën në këtë situate ku është . Rama, për inat të Kurtit, përmes kësaj “këshille” e tregoi me gisht Kosovën si “problematike”, në raport me BE-në , e cila i ka vënë disa sanksione absurde vendit më të varfër në Europë. Dhe kjo sjellje e BE-së, ka ardhur pikërisht nga problematika e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila duhet zgjidhur me dialog.
Gazeta Si: Duhet që Shqipëria të ndërhyjë me recetat, propozime, sugjerime për marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë?
Arben Çejku: Shqipëria mund dhe duhet të jetë më aktive në raport me Kosovën, sepse është interesi ynë kombëtar, detyrimi ynë kushtetues që të mos ndalemi së ndihmuari Kosovën. Por kjo duhet të ketë koordinim me Prishtinën dhe marrëdhëniet tona me Beogradin duhet të kalojnë nga Kosova dhe të mos e trajtojmë Serbinë si vend fqinj, kur nuk e kemi të tillë. Në diskutimet me Kosovën, kur u japim sugjerime, propozime, informacione, duhet të ruajmë konfidencialitetin dhe produktivitetin, duke mos bërë protagonistin publik.
Përpjekjet për të përfituar politikisht dhe për të marrë role që nuk na takojnë në këtë mospajtim të madh që ekziston mes Kosovës e Serbisë, kanë dëmtuar Kosovën, por edhe reputacionin tonë. Kjo ka shkaktuar krisje në marrëdhëniet mes nesh, ndërkohë që mund të ndikonim në koordinim me BE e SHBA për të lehtësuar dialogun e vështirë mes Prishtinës e Beogradit. Si përfundim, mendoj se sa herë që qeveria shqiptare merr rolin e protagonistit, të aktorit në krizën e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, bën gabim. Ne duhet të jemi faktor, në këtë marrëdhënie që kanë dy vendet, dhe jo aktor! Aktorë janë institucionet e Kosovës dhe ato të Serbisë. Shqipëria mund të luajë një rol shumë më të madh, por jo duke u përfshirë direkt në këtë formë dhe duke dhënë këto këshilla të padobishme dhe provokative.
Gazeta Si: Shqipëria dhe Kosova nuk mbajnë mbledhje të përbashkëta prej kohës kur Tirana anulloi një mbledhje të paracaktuar për shkak të mosmarrëveshjeve Prishtinë-Bruksel, si pasojë e sulmeve serbe në veri të Kosovës. Cili ka qenë ndikimi i këtij vendimi në marrëdhëniet mes dy vendeve?
Arben Çejku: Anullimi i mbledhjeve të përbashkëta u bë njëanshmërisht nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, ndërkohë që qeveria e Kosovës ishte gati për takimin në Gjakovë. Ky ishte akti i parë i “sanksioneve”, që më pas i vijoi BE, në formën e kufizimeve që ende ekzistojnë. Nxitimi i Shqipërisë për t’i dhënë një “shuplakë” europiane Kurtit nga Tirana zyrtare ishte dramatik dhe deri diku komik. Komik, sepse ne jemi shume larg BE-së për t’u paraqitur si pararojë e saj në raport me vende si Kosova. Në këtë rast, bëhej fjalë për një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, në kuadër të bashkëpunimit bilateral. Ky vendim, ka dëmtuar rëndë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe mbledhja e dy parlamenteve tregoi se kjo është një plagë e thellë që ka shkaktuar Kryeministri Rama.
Ne kishim në dispozicion edhe shumë mjete të tjera diplomatike për të treguar mospajtimin tonë me disa qasje të zotit Kurti. Ngrica e marrëdhënieve mes dy kryeministrave dhe, më tej akoma, mes institucioneve, ka ndikuar në marrëdhëniet ekonomike e më gjerë, tek turizmi, kultura, arsimi, diplomacia etj. Qasja paternaliste e Tiranës nuk ka sjellë produktivitet, ashtu sikundër qasja sovranisto – izolacioniste e Kurtit, ka shkaktuar dëme. Kryeministri Kurti jo vetëm që nuk ka marrëdhënie të mira me homologun e tij Rama, por ai nuk ka dëshmuar ndonjë afërsi e bashkëpunim më të mirë as me forcat e tjera politike në Shqipëri. Marrëdhënia e tij e ngurtë me Ramën ka reflektuar në gjithë qasjen e tij të marrëdhënieve me Shqipërinë. Kjo tregon se, indirekt, Rama e ka “ndihmuar” në politikën e tij izolacioniste e sovraniste.
Gazeta Si: Kosova i kërkon Shqipërisë të mbështesë ambicien e saj për t’u anëtarësuar në NATO si një zgjidhje finale për sigurinë e të gjithë rajonit. Ka bërë sa duhet Tirana zyrtare në këtë drejtim?
Arben Çejku: Lidhur me projeksionin euro-atlantik të Kosovës, Shqipëria është treguar korrekte dhe mbështetëse, aq sa e ka mundësinë. Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në NATO e tejkalon fuqinë dhe vendimmarjen e Shqipërisë, sepse ajo duhet trajtuar dhe pranuar nga themeluesit e NATO-s. NATO është ajo që e vlerëson realizmin e kësaj kërkese dhe mundësinë e plotësimit të saj, duke marrë në konsideratë faktin se disa vende anëtare të NATO-s si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Si kërkesë strategjike, kjo i bën mirë Kosovës, por për realizimin e saj, Tirana zyrtare nuk ka pothuajse asgjë në dorë.
Gazeta Si: Ka vend për tërheqje qëndrimesh të deritanishme nga Tirana dhe Prishtina, në mënyrë që të rivendoset një marrëdhënie më e mirë besimi? Kush duhet ta bëjë hapin e parë dhe çfarë duhet të bëjë?
Arben Çejku: Gjithmonë ka vend për t’u ulur dhe për të korrigjuar gabime, qoftë në qëndrime apo deklarata. Vlerësimi i përgjithshëm është se mes Tiranës dhe Prishtinës ka shumë për t’u diskutuar, sidomos nëse duan të diskutojnë për të mirë ne qytetarëve në të dyja anët e kufirit. Progresi që është bërë deri tani nuk mjafton dhe është larg frymës europianiste dhe kombëtare, për të cilën kemi nevojë. Me Kosovën kemi vënë më shumë trarë dhe pengesa, sesa me ndonjë vend tjetër. Mbledhja e dy parlamenteve ishte një shanc i humbur në raport me frymën pajtuese e përbashkuese, për të cilën kemi nevojë.
Tirana e bëri deri diku hapin e saj, duke shkuar parlamentarisht në Prishtinë, pavarësisht retorikës së kryeministrave dhe inateve që ato kanë mes tyre. Parlamentet ishin korrekte dhe dukej qartë pesha kryeministrore që mezi e mbanin mbi supe. Duke parë perspektivën e afërme të zhvillimeve, besoj se do të jetë periudha e dytë e vitit 2025, ajo që do të shihet si mundësi për të ndërmarrë hapa konkrete, duke qenë se zgjedhjet parlamentare do të sjellin ndryshime në të dyja vendet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.