Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit në Britani të Madhe, kritikoi sërish politikanët britanikë që sulmojnë emigrantët shqiptarë atje.
Në panel, gjatë fjalës Rama u tha politikanëve në ishull “që të mbyllin atë dreq goje” kur flasin për emigrantët shqiptarë.
“Ambasadori ynë ka ardhur me skaf dhe sot është ambasador. Varkat e vogla kanë sjellë shumë njerëz me ëndrra, ambicie dhe që i bëjnë nder shoqërisë britanike. Ajo që ka rëndësi është që të paktën komuniteti ynë i shqiptarëve këtu po i jep mjaftueshëm Britanisë që politikanët britanikë që etiketojnë shqiptarët ta mbyllin gojën, ta mbyllin atë dreq goje, e të mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveç se për gjërat shumë të mira”, tha Rama në fjalën e tij në në panelin Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian.
“Sepse shqiptarët po punojnë fort dhe janë krenar që janë pjesë e këtij komuniteti. Kështu që kushdo që i prek duhet të ta mbyllë atë dreq goje”.
Rama foli gjatë panelit të Chatham House me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, duke prekur edhe çështjen e Kosovës.
Ai theksoi se Kosova është “republikë demokratike, njohur nga Fuqitë e Mëdha” dhe se duhet të ecë përpara.
Rama shtoi se “Kosova, për të qenë e suksesshme, duhet të harrojë Serbinë” dhe se është detyrë e Kosovës të përmbushë çdo pikë, ndërsa Europa të merret me Serbinë.
“Nuk ka pse çështja të kthehet në problem për Beogradin dhe Prishtinën. Kosova është republikë, nuk ka probleme territoriale me asnjë vend”, përfundoi kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



