Kosova

Takimi në Bruksel, Bërnabiç: Nuk kam pritshmëri! Kurti po e shkel qëllimisht marrëveshjen

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka deklaruar se nuk ka pritshmëri nga takimi i sotëm i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.

Ajo thotë se sipas saj Prishtina po e shkel Marrëveshjen e Brukselit qëllimisht.

“Nuk shoh se si do të ndryshojë pas më shumë se dhjetë vjetësh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, si marrëveshja e parë për normalizimin që BE-ja e garantoi me nënshkrimin e saj. Unë nuk shoh ndonjë gatishmëri në Prishtinë, ata tashmë janë shpërblyer për moszbatimin e marrëveshjes së Brukselit’’- deklaroi ajo dhe shtoi se vitin e shkuar dhe këtë vit Prishtina ka shkelur drejtpërdrejt Marrëveshjen e Brukselit duke ua mohuar të drejtën serbëve për të votuar në zgjedhjet e shpallura nga Beogradi në vitin 2022.

“Një herë në rastin e një referendumi dhe herën e dytë në rastin e zgjedhjeve. As BE-ja dhe as Quinti praktikisht nuk u përpoqën ta pengojnë këtë, nëse jemi të sinqertë, sepse një deklaratë për shtyp nuk është një përpjekje serioze për ta parandaluar atë”, tha ajo duke shtuar se nuk ka pritshmëri nga ky takim.

“Por edhe me këto pothuajse-zgjedhje që u mbajtën në veri të Kosovës, nuk dëgjova më asgjë për këtë nga BE-ja. Në fakt, ato që u dëgjuan ishin praktikisht vota miratimi për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Prishtinës, andaj sot nuk kam asnjë pritshmëri. Ne po mundohemi të vazhdojmë të jemi tolerantë, të ruajmë paqen dhe njëfarë stabiliteti, përkundër përpjekjeve të Prishtinës për të shkaktuar destabilizim”- shtoi Bërnabiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë