Kosova

Takimi me Vjosa Osmanin, liderët politikë në Kosovë: Zgjedhje të reja në dhjetor

Nga Gazeta ‘Si’– Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në Dhjetor.

Është ky rezultati i takimit të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike, pas dështimit të përpjekjes për të bërë një qeveria apo mazhorancë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha para mediave se në takim u bë e qartë se askush nuk mund ta sigurojë shumicën për të formuar qeverinë.

Sipas tij, zgjedhjet e reja tashmë janë të imponuara.

“Një situatë të tillë ka muaj që e kemi paralajmëruar. Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve të reja”.

Pas përfundimit të takimit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti nuk ka pranuar të deklarohet për media.

Pas takimit, ai u tha gazetarëve se “më duhet të shkoj me shpejtësi”.

Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se në takim Kurti, si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka kërkuar disa ditë kohë për të parë mundësitë nëse mund të formojë një shumicë.

Kujtojmë se Albin Kurti dështoi më 26 tetor të merrte besimin e Kuvendit për formimin e qeverisë së re në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë