Kosova

Takimi me Kurtin/ Lajçak: Rrugë diplomatike për heqjen e barrikadave. Escobar: Presim implementimin e Asociacionit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Sebi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“ Kam pasur diskutim të gjatë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Nuk do t’i bëj publike detajet, sepse jam në mes të misionit dhe do ta vazhdoj vizitën nesër në Beograd. Do të takohem me komandantin e KFOR-it dhe atë të EULEX-it sonte, për të parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojmë të gjejmë zgjidhjet e mundshme, sepse kjo gjë nuk është e mirë. Unë nuk mendoj se kemi llogari që të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, tha ai para gazetarëve.

Ndërsa Escobar tha se tensionet në veri të Kosovës, plani franko-gjerman dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kanë qenë ndër temat e diskutimit me Kurtin. Ai tha se shpreson në një zgjidhje të shpejtë të krizës në veri.

“Duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe], e kam bërë shumë të qartë këtë”, tha ai.

Escobari dhe Lajçaku do ta takojnë nesër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç , thuhet në njoftimin e presidencës serbe.

Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.

Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë