Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar thashethem absurd deklaratën e drejtorit të komunikimit të PD, Alfred Lelës se do të takonte në Beograd djalin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump Jr.
Për situatën e krijuar, ku Lelës iu përgjigjën Richard Grenell, i dërguari i Presidentit Donald Trump për misionet speciale, por edhe djali i presidentit Trump Jr duke përgënjeshtruar lajmin, Rama tha se “PD u katandis aq keq, sa dhe familjes së SHBA-së iu desh të përgënjeshtrojë komentet”.
Ai tha se pavarësisht miqësisë që ka me Grenell, nuk do kishte kërkuar kurrë diçka të tillë.
“Godasin dhe krijojnë një thashethem absurd total. Unë nuk vajta as te funerali i Papës se prisja nga vllau jem në Beograd, Vuçiç që të më merrte në Beograd dhe të takoja si rastësisht djalin e Trump dhe këtë do ta bënte Grennell, që është person i respektuar me të cilin kam njohje dhe miqësi krejt normale por që kurrën e kurrën as s’do tia kërkoja një gjë të tillë.
Pse duhet të shkoj në Beograd apo ku të doni që të takoj çunin e presidentit, apo kështu funksionon te këneta me çunin e babit? U detyruan ata edhe ambasadori, edhe çuni që të përgenjeshtrojnë kënetën që deri dje bënte sikur hynte e dilte për salcë kosi te shpia e Trump”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




