Kosova

Takimi Kurti-Vuçiç/ BE dhe SHBA presin miratim të propozimit pa diskutime

Nga Gazeta ‘Si’Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së, pritet që të pranohet pa diskutime të mëtejshme.

Të paktën kështu kanë deklaruar burime nga Bashkimi Europian në prag të këtij takimi të cilët thanë se palët pritet që të arijnë pajtueshmëri për planin franko-gjerman.

“Ne e konsiderojmë takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve”, thanë burime nga Bashkimi Europian.

Gjithashtu në BE nuk kanë asnjë dyshim që me pranimin e propozimit të BE-së do pranohet edhe obligimi për Asociacionin.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është pjesë e këtij propozimi. Pra, me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e këtij Asociacioni”, ka thënë të një zyrtar i Bashkimit Europian.

Edhe Mirosllav Lajçak, i dërguari për dialogun ka deklaruar se në takimin e sotshëm pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit europian.

Planin që e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, nuk është prezantuar asnjëherë në publik. Në një draft paraprak aty nuk përmendej në mënyrë specifike njohja por parashikonte të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Të njëjtat pritshmëri për pranimin e propozimit europian kanë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni të cilët në një letër drejtuar Kurtit kanë thënë se presin që në takimin e 27 shkurtit të diskutohet për propozimin e BE-së dhe obligimet që dalin nga procesi i dialogut, të ndërmjetësuar nga blloku europian.

Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni, thanë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve europiane.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që takimi i 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, të jetë konstruktiv, dhe me përparim të dukshëm drejt marrëveshjes.

Cholleti i ka thënë edhe Kurtit të shtunën(25 shkurt) se tani është koha që të diskutohet për Asociacionin.

Gjithashtu një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.

“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.

Në Kosovë, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se sot merr fund kauza e kryeministrit, Albin Kurti dhe se sot ai do të nënshkruajë zotimin për zbatimin e Asociacionit.

“Sot merr fund kauza e fundit me të cilën Kryeministri Kurti u ngrit dhe për të cilën ai dikur i shpallte të tjerët tradhtarë e patriotë. Sot Kryeministri e nënshkruan zotimin për zbatimin e Asociacionit. Njeriu i cili thoshte se presionit i nënshtrohen vetëm të shantazhuarit, sot nënshkruan marrëveshjen për të cilën ai dhe subjekti i tij e kanë sulmuar Kuvendin, kanë hedhë gaz lotsjellës. Kaq për kauzat e Kryeministrit.” – ka shkruar ajo në Facebook.

Fillimisht, përfaqësuesi i lartë i BE për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet të zhvillojë takime të ndara me liderët e dy vendeve. Ai pritet që të takohet me Kurtin në orën 15:00 i shoqëruar nga Mirosllav Lajçak ndërsa më pas në orën 16:15, pritet të takohet me presidentin serb.

Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, pritet që të mbahet edhe takimi i përbashkët me liderët e dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë