Politike

Takimi i parë “i vështirë” i ministrit të Jashtëm Cakaj (Foto)

Në një takim jo zyrtar me ministrat e Jashtëm të BE-së, ku Rumania ka marrë Presidencën e Radhës së Këshillit Europian prej datës 1 janar, ka qenë i pranishëm edhe i deleguari si ministër i Jashtëm, Gent Cakaj.

Cakaj ka qenë i pranishëm mes homologëve të tij ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate. Takimi u zhvillua përgjatë dy ditëve në kuadër të Presidencës rumune të BE-së.

Cakaj është takuar me mikpritësit e këtij takimi jozyrtar, Federica Mogherini, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe nënkryetarin e KE-së, Teodor Meleşcanu, që është njëkohësisht edhe ministri rumun i Punëve të Jashtme.

Më pas Meleşcanu i tregon edhe rrugën se nga duhet të shkojë, për t’iu bashkuar homologëve të tij. Kur diplomatët mblidhen për të bërë një foto, Cakaj shkon në fund të rreshtit, ku mezi dallohet prezenca e tij.

Cakaj tha se “pritshmëritë tona janë që bisedimet e anëtarësimit të jenë njohje e arritjeve dhe mekanizëm për orientimin e tyre të ardhshëm”.

Ai evidentoi gjithashtu rolin proaktiv e konstruktiv të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, duke shtuar se në aspektin global, vendi ynë dëshmon me vendosmëri orientimin e tij strategjik euroatlantik dhe linjëzim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Edhe pse jo zyrtare, kjo është dalja e parë e rëndësishme e Cakajt, post të cilit iu delegua nga kryeministri Rama, pas mosdekretimit nga ana e Presidentit Meta.

Kandidatura e Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm, i cili zëvendësoi Ditmir Bushatin e shkarkuar, shkaktoi përplasje në distancë dhe prodhoi deklarata mes Ramës dhe Metës, pasi nga Presidenti refuzoi që ta dekretonte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë