Kosova

Takimi i dytë një dështim, Kurti e Vuçiç përballen për të kaluarën

Takimi i dytë mes Alexander Vuçiç dhe Albin Kurtit ka shkuar më keq se i pari. Nga deklaratat që dy udhëheqësit lëshuan për mediat pas bisedës me dyer të mbyllura dhe me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell u kuptua se palët janë shumë larg.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u refuzua. U refuzua ende pa u lexuar dhe kjo për mua tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje”, tha Kurti.

Kurti tha se çështje e të pagjeturve është çështje nga e kaluara dhe se nuk e kupton Vuçiçin, i cili tha se nuk pranoi që togfjalëshi “ballafaqim me të kaluarën” të përfshihet në zotimin për të bërë gjithçka për të pagjeturit.

Ai tha se propozimi i tij në çështjen e zotimit për të pagjeturit u pranua me butësi nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por që u refuzua nga presidenti serb.

“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjalja “ballafaqimi me të kaluarën”. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

“Unë nuk e kuptoj se pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë përballjes me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Albin Kurti, ka akuzuar presidentin serb Aleksandër Vuçiç për kryerjen e tre gjenocideve ndaj shqiptarëve. Mediat në Kosovë shkruajnë, se Kurti i ka rikujtuar Vuçiçit se gjenocidi i parë ka ndodhur në vitin 1878 dhe i fundit në 1999.

Nga ana e tij, Vuçiç e cilësoi takimin si më të keqin që kishte menduar, ndërsa tha se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja”, tha Vuçiç.

“Aty ishin tre pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht”, vazhdoi presidenti serb.

Ai deklaroi se Serbia pranoi plotësisht dhe pa asnjë vërejtje disa propozime të palës së Kosovës, ndërsa tha se “shqiptarët nuk dëshironin”.

“Është veçanërisht interesante që ata nuk donin asgjë tjetër. Ata kushtëzuan me kritere të reja gjatë gjithë kohës. Prezantimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocidet në Kosovë. Pastaj ai na shpjegoi se emrat shqiptarë tërheqin emra nga toponimet në Serbi , ju mund të besoni se njeriu pas 150 vjetësh flet për këto”, theksoi Vuçiç.

“As BE nuk po e beson te ato që po dëgjon. Kurti është kthyer në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, u shpreh Vuçiç.

“Është shumë e vështirë kur flet me njerëz irracionalë. Është shumë e vështirë. Ai thotë se ata nuk e kuptojnë që kishte krime nga të dy palët, ndërsa Serbia e kupton atë”, tha Vuçiç.

Ai tha se ka këmbëngulur për ta diskutuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por që nuk pati përgjigje. “Për më tepër, pala shqiptare deklaron se arkivat e UÇK-së nuk ekzistojnë. Për aq sa përpiqemi ta gjejmë një zgjidhje, nuk ia vlen ta bësh”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë