Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriç me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili është nën sanksionet amerikane dhe i kërkuar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, INTERPOL.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti deklaroi se ky takim paraqet përpjekjen e vazhdueshme të Serbisë në bashkëpunim me Federatën Rusë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.
LEXO EDHE:
– Ambasadori i Serbisë në SHBA darkon me Radoiçiç: Nuk e fsheh dhe nuk i kërkoj falje Kurtit! (Hovenier me tone të ashpra)
– Takimi me ambasadorin serb, DASH: Radoiçiç është kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi
Gjithashtu sipas tij, është edhe pasojë direkte e mosndëshkimit të Serbisë për sponsorizimin dhe orkestrimin e sulmit terrorist në Banjskë.
“Milan Radoiçiç është i lirë edhe i mbrojtur në Serbi dhe nga Serbia. Që nga 24 shtatori, ne kemi kërkuar të merren masa për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës. Kemi kërkuar ekstradimin e terroristëve që vranë heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku në Kosovë”, ka deklaruar ai para kabinetit qeveritar.
Kurti më tej ka theksuar se Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për sulmin terrorist, “ani pse përfshirja e saj direkt është bërë e njohur publikisht e botërisht”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




