Kosova

Takimi Gjuriç-Radoiçiç, BE: Nuk na takon ta komentojmë. Presim raportin përfundimtar për Banjskën

Nga Gazeta ‘Si’– Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano i pyetur për takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara Marko Gjuriç me terroristin Radoiçiç, deklaroi se BE-së nuk i takon të komentojë çdo takim.

Ai riktheksoi se Bashkimi Europian po pret një raport përfundimtar zyrtar të hetimeve për sulmin e Banjskës në mënyrë që të trajtojë më pas përgjegjësinë.

“Nuk na takon neve që të komentojmë çdo takim të pjesëtarëve të administratës serbe që zhvillojnë me njerëz të ndryshëm. Mendoj se atë që takoni, reflekton mbi ju posaçërisht kur takoheni me një të dyshuar për vepra kriminale. Por për Banjskën qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar: ne po presim një raport përfundimtar zyrtar të hetimeve dhe pastaj do të shohim se si ta trajtojmë përgjegjësinë. Tani për tani nuk kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, tha Stano.

Ai shtoi se prioritet kryesor i BE-së është që Kosova dhe Serbia të fillojnë të zbatojnë në mirëbesim atë për të cilën janë përkushtuar.

“Prioritet yni kryesor është që ata të fillojnë të zbatojnë, në mirëbesim, atë për të cilën janë përkushtuar. Pa i diskutuar hapat proceduralë, ajo që është prioritet kryesor është të sigurohemi që zbatimi të nisë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është ku jemi përqendruar dhe kjo është ajo që mund të komentojmë sa më shumë që të jetë e nevojshme por për procedurat ne nuk do ta bëjmë. E kemi thënë shumë herë gjatë procesit të dialogut, përgatitjet në hapat individualë, fazat individuale janë diçka që supozohet se duhet të trajtohet në procesin e punës dhe puna përgjithësisht nuk është bërë dhe nuk mund ta komentojmë çdo ditë”, tha ai.

I pyetur lidhur me ndonjë takim të mundshëm në Bruksel, Stano deklaroi se se nuk ka pasur shumë punë që është kryer në këtë drejtim, për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve.

“Ne asnjëherë nuk paralajmërojmë agjendat e cilitdo takim të radhës në kuadër të dialogut të Prishtinës dhe Beogradit, qoftë të nivelit të kryenegociatorëve ose të nivelit të lartë. Mund ta them një gjë: fatkeqësisht nuk ka pasur shumë punë që është kryer në zbatim, për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve”, ka thënë Stano në konferencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë