Takimi mes babait të Pleshtit, Jorge Messi, dhe presidentit të Barcelona-s, Josep Maria Bartomeu, është mbyllur pa rezultat. Siç raporton “El Mundo Deportivo” të dy palët nuk kanë lëshuar pe nga kërkesat e tyre. Numri një i klubit spanjoll nuk ka lëvizur nga pozicioni i tij, duke i komunikuar babait-menaxher vendosmërinë për të mos negociuar në asnjë mënyrë shitjen e argjentinasit, nëse nuk paguhet klauzola 700 milionë euro.
Bartomeu i ka ofruar Mesit një kontratë dy vjeçare. Në krahun tjetër babai dhe agjenti i argjentinasit, Jorge kërkon që klienti i tij të largohet falas pasi pretendon se klauzola prej 700 milionë eurosh ka skaduar. “Është vështirë të qëndrojë tek Barcelona”.- u shpreh i ati i Messit kur u pyet për të ardhmen e Lionel.
Përkundrejt gjithçkaje, klubi blaugrana i ka dërguar një mesazh të fortë e të qartë tifozëve përmes rrjeteve sociale. Në imazhin që reklamon uniformën e re “home” të Barças, në plan të parë është Leo. Sulmuesi argjentinas është imazhi kryesor i fushatës së shitjes së fanellës së parë, asaj kryesore, për sezonin 2020-2021. Një detaj që, pavarësisht kaosit rreth Messi, konfirmon dëshirën e blaugran për të mbajtur në skuadër fenomenin argjentinas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




