“Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë të shëndetshme, sipas analizave të kryera”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko kur u pyet lidhur me ekspozimin e sistemit bankar shqiptar ndaj falimentimeve të fundit të bankave në Amerikë dhe Europë.
Në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, Sejko theksoi se BSH-ja ka monitoruar nga afër tregjet ndërkombëtare dhe tregu shqiptar qëndron larg këtyre rreziqeve. Megjithatë, sipas tij Banka e Shqipërisë mbetet vigjilente për të garantuar respektimin e kritereve të rrezikut dhe normave mbikëqyrëse rregullatore.
“Sektori bankar paraqitet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Në veçanti, treguesit e likuiditetit dhe ata të kapitalizimit të këtij sektori mbetën të kënaqshëm dhe raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi vlerën 18.1% në fund të vitit 2022.
Sektori bankar ka vijuar të ofrojë kushte e terma të favorshëm kreditimi, me një rritje vjetore të kredisë prej mesatarisht 14% gjatë vitit 2022. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet e shëndetshme, sikundër ilustrohet edhe nga treguesi i kredive me probleme, i cili mbetet në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit”, tha Sejko.
Sejko gjithashtu shtoi se inflacioni ka filluar kurbën rënëse, duke arritur në 5.3% në muajin mars.
“Banka e Shqipërisë ka garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, duke rritur normën bazë të interesit në përputhje me objektivin e saj kryesor për të luftuar inflacionin. Inflacioni pritet ta vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024,” tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




