Nga Gazeta ‘Si’- Në konferencën e sotme për mediat, Sali Berisha u pyet për takimet e Ervin Salianjit që do të nisë nga sot pasdite në qytetin e Durrësit.
Berisha deklaroi se është një lëvizje personale dhe tha se çdo aktivitet jashtë forumeve të PD-së është privat.
“Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD-së nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në Partinë Demokratike. Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD-së është privat. PD është parti me forume, është me struktura. Partia Demokratike ka nisur debatin dhe ky debat është i hapur. Çdo person, që për qëllime personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk ka lidhje me partinë. Ky rregull është për çdo forcë politike në botë. Listat në PD nuk ishin më të mirat dhe ky sistem ka ardhur nga Edi Rama më 2021. Çdokush bën zgjedhjen e vet”, u shpreh Berisha.
Në fund, Berisha theksoi se Foltoret e Partisë Demokratike do të mbahen në të gjithë Shqipërinë.
“PD do të protestojë në mbarë Shqipërinë. Unë Foltoren time e bëra, që të shpëtoj PD-në kontrollin e Partisë Demokratike nga Edi Rama. Bëra Foltoren, që të shpëtoj PD-në nga Rama. Unë jam model i dorëheqjes në Shqipëri. Kam dhënë dorëheqje si president, si kryeministër, kam dalë në opozitë dhe po luftoj në një mision”, u shpreh Berisha.
Salianji po mban takime me më të votuarit në PD që nuk arritën të merrnin një mandat deputeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



