Bota

Tajvani ka frikë për një pushtim nga Kina në 2025-ën, por Biden telefonon Xi Jinping

Ministri tajvanez i Mbrojtjes, ngre alarmin: “Në përvojën time dyzetvjeçare ushtarake, nuk kisha qenë kurrë në një situatë kaq të rrezikshme nga pikëpamja ushtarake”, tha Chiu Kuo-cheng, i cili para se të bashkohej me qeverinë, ishte gjeneral.

“Nëse kinezët do të donin të na sulmonin tani, do të ishin në gjendje ta bënin,  por ata ende po llogaritin sa do të kushtonte bilanci për sa i përket humbjeve dhe rezultateve në fushë. Sidoqoftë, duke vazhduar rritjen e potencialit të tyre, në vitin 2025 ata do të kenë ulur koston dhe humbjet e tyre në nivelin më të ulët të mundshëm”.

Tajvani mund të vazhdojë të pajiset me sisteme të reja mbrojtëse dhe të shpresojë se ombrella amerikane do të dekurajojë aventurizmin e Xi Jinping.

Ministri i kërkoi Parlamentit të votojë buxhetin ushtarak prej 8.6 miliardë dollarësh për raketat kundër anijeve dhe njësitë e reja detare.

Joe Biden thotë se ai foli për Tajvanin me Xi Jinping (e telefonoi në shtator për herë të parë që nga shkurti) dhe se Uashingtoni dhe Pekini “do t’i përmbahen marrëveshjes së Tajvanit”.

Shtëpia e Bardhë saktësoi se presidenti po i referohej njohjes amerikane se ekziston “vetëm një Kinë” (ajo e qeverisur nga Pekini), por që marrëveshja i lejon Shteteve të Bashkuara të mbajnë “një marrëdhënie të fortë, nëse jozyrtare, me Tajvanin”. Është strategjia e paqartësisë strategjike, e cila ka funksionuar deri më tani. Megjithatë, situata po ndryshon.

Nga e premtja 1 tetor, deri të hënën 4, në fakt, aviacioni i Ushtrisë Çlirimtare Popullore ka ngritur n fluturim 156 aeroplanë luftarakë brenda Adiz (Zona e Mbrojtjes dhe Identifikimit Ajror rreth ishullit). Avionët me yllin e kuq nuk shkuan përtej kufirit prej 12 milje detare nga bregu i Tajvanit, të cilin Taipei e konsideron si hapësirën e tij ajrore sovrane (edhe pse sovraniteti i Tajvanit njihet vetëm nga rreth 15 qeveri në botë).

Por sinjali është ende kërcënues për ishullin, që Pekini është betuar se do ta marrë përsëri nën kontrollin e tij dhe për vendet që e mbështesin atë, para së gjithash Shtetet e Bashkuara dhe kohët e fundit Japonia dhe Australia.

Shfaqja më mbresëlënëse, ishte ajo e 4 tetorit: 56 avionë përfshirë 38 të tillë luftarakë J-16; 2 Su-30; 12 bombardues H-6; 2 anti-nëndetëse Y-8; 2 KJ-500 sa për paralajmërim.

Lista është raportuar me kënaqësi të madhe nga “Global Times”, gazetë e Partisë-Shtet, e cila pëlqen të rrokullisë daullet e patriotizmit ekstremist dhe thekson se 56 avionë janë rekord për praninë kineze rreth ishullit.

Fluturimet filluan në agim dhe përfunduan në mesnatë, duke i mbajtur sistemet e mbrojtjes tajvaneze në një tension të fortë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë