Politike

Tahiri kundër Xhafajt dhe Lu: Nuk ka banda

Pas deklaratës përpara medieve, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri zgjodhi të përballej me gazetarët në emisionin “Opinion” në TV Klan.

Përpos faktit se paraqiti dokumentin e gjykatës së Katanias që deklaron mbylljen e hetimit ndaj ish-ministrit për çështjen “Habilaj”, ai u shpreh se nëse nuk do të ishte vendimi i Parlamentit, ai do të ishte sot në burg, pasi çështja nga prokuroria shqiptare u zvarrit për më shumë se një vit, ku janë ndërruar 7 prokurorë.

Sa i përket deklaratës së PD-së se nuk ka lidhje vendimi i gjykatës në Katania me hetimet në Shqipëri, Tahiri theksoi se qëndrimi i demokratëve i bërë nga Gazmend Bardhi nuk ka lidhje, pasi një çështje në hetim nuk mund të jetë e ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë.

Por ish-ministri iu shmang përgjigjeve të bëra nga gazetarët e ftuar në panel sa i përket udhëtimit të Moisi Habilajt në skafin që ka pasur ai në përdorim, apo udhëtimin drejt Malit të Zi në maj të 2017, apo për udhëtimet me makinën e famshme “Audi”, për të cilën ia kishte shitur kushërinjve Habilaj.

“Unë gjyqin preferoj ta bëj aty ku bëhet. Nuk kam, ndërmend të merrem këtu me deklaratat e prokurorëve, ata t’i çojnë në Gjykatë dhe aty vendoset nëse jam apo jo i pafajshëm. Unë sot dola sepse kam një vendim nga Antimafia që thonë se ky zotëri nuk ka lidhje me çështjen. Unë kam 15 vjet që shëtis me skaf dhe do shëtis sa herë të dua. Avokatinë time do ta bëj në gjyq. Po bëtë prokurorët unë e bëj pas debatin. Ato përgjime që nxorët në studio, Prokuroria e Italisë thanë se janë nul, si t’ua them këtë?! Me skaf dhe jo në jaht, kam bërë pushime për qejf. Po kapiten jam, kam patentë, kam dhe patentë avioni, ca do me thënë kjo? Unë nuk hetohem për pushimet e mia. Nuk kam qenë në asnjë detyrë për kohën kur i referoheni. Unë kam duruar këtë një vit dhe ju kam dëgjuar, që prokuroria ka shkruar në shtëpinë time, ka marrë bizhuteri…”, iu përgjigj pyetjes për shëtitjet me skaf.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi në lidhje me ish-shefin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela se beson se është i pafajshëm dhe në rast të kundërt, ky i fundit ka abuzuar me besimin e tij.

“Unë besoj që është i pafajshëm. Unë po të them se ka punuar me mua si shumë bashkëpunëtorë të tjerë, por unë besoj se është i pafajshëm. Nëse ndodh e kundërta ai ka abuzuar me besimin  tim dhe prokuroria duhet ta hetojë. Me sa di unë, jam e vetmja çështje që hetohem nga 7 prokurorë, por ju them bëjini 70 prokurorë por vetëm jepni drejtësi”, theksoi ai.

Ish-ministri i Brendshëm theksoi se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie me kryeministrin Edi Rama. Gjithashtu ai shtoi se “ia ka komunikuar vendimin e Gjykatës së Katanias. “E shoh të parëndësishme për çështjen në të cilën jam në hetim se sa i përket marrëdhënieve me kryeministrin. Nuk do të doja kurrë se cilado të ishte marrëdhënie ime të kushtëzonte në vendimin e Gjykatës. Me kryeministrin e kryetarin e PS-së nuk kam marrëdhënie, unë kam bërë detyrën time e kam njoftuar për këtë vendim të Gjykatës së Katanias”, theksoi Tahiri.

Ish-ministri hodhi poshtë ndërkohë deklaratat e bëra nga ana e pasardhësit të tij, Fatmir Xhafaj  se në Shqipëri veprojnë 40 banda. Këto deklarata janë bërë edhe kohë më parë edhe nga ambasadori amerikan Donald Lu.,

“Nuk më duhet se çfarë thotë ministri i Brendshëm që është ende në detyrë.  Shqipëria ka kriminalitet si çdo vend tjetër. Vetëm ne i nxjerrim sytë më shumë vetes. Ka Greqia, Italia dhe Spanja më shumë kriminelë se Shqipëri, ka Londra më shumë kriminelë se sa Tirana. Nuk ka vendi ynë familje mafioze, por kriminelë. E keni shumë gabim, e keni baltosur. Është një terror i padrejtë gjithë kjo frymë që keni futur”,- tha Tahiri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë