Politike

Tahiri: Kopila e bilbila më donin në burg!

Edhe pse me një zë të ngjirur nga festimet e ditëlindjes së tij, Samiri Tahiri nuk ngurroi të “ulëriste” për të kërkuar drejtësi ndaj nga prokuroria shqiptare, pasi gjykata italiane e ka zhveshur nga akuza për bashkëpunim me bandën “Habilaj”.

Pas një viti heshtjeje, në respekt të asaj që ai e cilëson në pritje të rezultateve të hetimit, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri doli para medias për të kërkuar që Prokuroria shqiptare të vendosë në lidhje me hetimin e tij, pasi drejtësia italiane e ka mbyll çështjen duke e liruar nga çdo akuzë për organizatën kriminale “Habilaj”.

Duke “sfiduar” dhe shiun, ish-ministri Tahiri  u shfaq pas kësaj heshtjeje të gjatë duke sulmuar  “dorën e zezë” që donte ta shihnin prapa hekurave të burgut.

 “Kërkova që krahas hetimeve në Shqipëri, të hetohem edhe në Itali, nga të njëjtët prokurorë të Antimafias Italiane të sprovuar në hetime shumë më të komplikuara e serioze se ky për mua. Pas konferencës sime për shtyp, të njëjtën gjë e kërkoi edhe prokuroria shqiptare. Dhe Prokuroria e Antimafias italiane regjistroi zyrtarisht hetim ndaj meje, në datë 27 Tetor 2017. Vetëm 3 ditë më pas. Janë prokurorë që nuk e kishin mendjen të shpërndanin gjysmë lajme e gjysma letra nëpër media e portale, por në heshtje e me shumë punë, hetuan edhe pretendimet e prokurorisë shqiptare për përfshirjen time ose jo në atë që u quajt banda e trafikut të drogës. Prokurori i Antimafias Italiane dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës në Itali, në përfundim të të gjitha hetimeve, i kërkuan Gjykatës Italiane pushimin e hetimeve për Saimir Tahirin, sepse nuk ka asnjë lloj përfshirje në asnjë aktivitet të paligjshëm. Gjykata Italiane miratoi kërkesën e Prokurorëve të Antimafias dhe unë kam sot vendimin e Gjykatës, ku miraton kërkesën e Prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj meje”, deklaroi Tahiri.

Ish-ministri fajësoi edhe oligarkët në Shqipëri, që sipas tij, po bënin gjithçka që të mos nxirrnin në pah të vërtetën që gjykata italiane e zhveshi nga çdo akuzë.

Faksimile e dokumentit te dorëzuar nga ish-ministri  Tahiri në Prokurori, ku vërtetohet se Gjykata e Katanias mbyll hetimete ndaj tij për çështjen Habilaj

“Çuditërisht mëndja e ligë dhe dora e zezë që dosjen e kësaj çështje e solli që ditën e parë nga Italia në Shqipëri duke u kujdesur t’ia shpërndaj me lezet mediave, këtë vendim pozitiv që ka të paktën disa muaj që ka dalë nga zyra e prokurorit për në Gjykatë, as e gjeti, as e tha e as e shpërndau. Por kjo ka pak rëndësi sot. Ka një radhë për të gjitha gjërat, e unë di mirë të pres radhën e çdo gjëje. Ajo që ka rëndësi sot është vetëm një gjë: Unë u akuzova e nuk bëra politikë, nuk u fsheha, nuk gënjeva, nuk sajova. Unë u përballa. Dhe sot jam i vetmi politikan shqiptar, që vetëm pse përmendem në bisedat e ca trafikantëve, kërkova vetë e jam hetuar jo një herë, por dy herë nga prokuroria e Antimafies italiane”, theksoi ai.

Ndërsa kërkoi që prokuroria shqiptare të shprehej mbi hetimet e ndërmarra prej më se një viti. “Janë 7 prokurorë në çështjen time. Ka kaluar 1 vit. Dokumentin e Italisë e dorëzova të hënën në prokurori. Unë them ‘boll’, nuk kam më çfarë më të pres. Nëse s’dalin 7 prokurorë, bëjini 70. Deri tani është hetuar gjithçka për mua. U bë një vit që prokuroria heton, por unë s’jam thirrur asnjë herë të vetme”, deklaroi Tahiri.

Për Bashën, Berishën, Metën

Pjesën e dytë të deklaratës, Tahiri e kishte fokusuar te sulmet e politikanëve ndaj tij, por duke mos lënë mënjanë as ambasadorët, duke theksuar se ndryshe nga të tjerët ai nuk iu fsheh drejtësisë.

“Ajo që ka rëndësi sot është vetëm një gjë: Unë u akuzova e nuk bëra politikë, nuk u fsheha, nuk gënjeva, nuk sajova. Unë u përballa. Dhe sot jam i vetmi politikan shqiptar, që vetëm pse përmendem në bisedat e ca trafikantëve, kërkova vetë e jam hetuar jo një herë, por dy herë nga prokuroria e Antimafies italiane. Jam i vetmi politikan shqiptar që për tu hetuar pse jam përmendur nga 2 trafikantë që u gjetën kushërinjtë e mi të 8-të, dhashë dorëheqjen nga mandati i deputetit e nga çdo aktivitet publik, heshta e prita që të hetohej gjithçka lidhej me mua jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. E sigurisht më vlen më shumë e vërteta ime, këtu në këtë vendin tonë ku, kur ua do interesi, politikanë e gazetarë e dënglamedhenjtë analistë, çirren studiove se nuk mund të mbahet përgjegjësi për vëllain, për motrën, për burrin, gruan, për djalin e vajzën, kunatin e baxhanakun. Kur nisi kjo histori, Prokurorët kërkuan arrestimin tim me pretendimin se na kanë ardhur dosjet nga Italia dhe Prokuroria Antimafia Italiane. Lulzim Basha kërkonte arrestimin tim, sepse Saimir Tahiri është marrë me trafik droge e këtë nuk e thotë opozita, por Antimafia Italiane. Monika Kryemadhi e me ç’ka tjetër, bënin të njëjtën gjë. E jo vetëm këta. Por një orkestër e tërë që ndanin interesa politike e jo vetëm, u bënë bashkë ca të nënës e ca të njerkës, bilbila e kopila, se Saimir Tahiri duhej në burg, se nuk e thonin këta, por Antimafia Italian”, theksoi Tahiri.

Por ish-ministri shprehet se ka ardhur koha që të mos heshtë ndaj atyre që ai i cilëson si baltosje. “Do vazhdoj të pres me durim e besim, tek e vërteta ime. Sepse unë nuk jam Lul Basha, një kaqol në politikë apo një kriminel ordiner, që vodhi e vrau bashkë me Saliun, e as u hetuan, as u gjykuan e as u dënuan. Një herë në opozitë e një herë si ministër i Brendshëm i kam denoncuar në Prokurori për vrasjen e 4 protestuesve në Bulevard. E prapë nuk hetohen, nuk gjykohen e as dënohen. Dalin edhe thonë se Edi Rama po mbyll hetimin a gjykimin për mua. Pika që nuk u bie. Nuk e dinë që drejtësia e blerë, nga kushdo, madje Edi Rama i pari, për mua është me keq se çdo dënim.

Një grua i puth dorën Tahirit gjatë konferencës së sotme për shtyp/ Foto LSA

Por nuk kanë faj që e mendojnë kështu. Nuk e kam të largët natën kur Saliu e Luli i shkuan për darkë në shtëpi në atë kohë të pandehurit Ilir Meta, vetëm një ditë para vendimit të gjykatës. E pasi kishin larë duart me drejtësinë, tallnin kurabien me popullin duke i treguar sa mirë kishte gatuar Monika roston me kumbulla. Nuk është larg dita kur rrethohej prokuroria edhe me polic, që mos hetohej Lul Basha, që ikte si lepur me raporte mjekësore e nuk u gjykua kurrë për vjedhje miliona euro e vrasje. Dhe këta më bëjnë sot moral. Se nuk kanë faj, ia kanë hedhur drejtësisë”, deklaroi Tahiri.

Më pas një mesazh dhe për diplomatët e huaj, edhe pse në mënyrë indirekte mesazhi ishte për ish-ambasadorin e SHBA, Donald Lu, i cili kërkonte mbylljen e hetimeve sa më shpejt ndaj ish-ministrit Tahiri. “Me vrap edhe ambasadorë, pa u menduar dy herë e pa pasur gajle se në vendet e tyre as do ia vinte njeriu në pullë në qoftë se do të flisnin kaq qesim sa flasin këtu, e as do guxonin të flisnin për një proces ku heton prokuroria, e prapë kanë folur. Tamam si për ta bërë të vërtetë atë shprehjen “Shqipëri hesapi”. Kanë gënjyer aq shumë për mua, përditë e përditë e përditë. Vetëm unë kam heshtur. Duke pritur të vërtetën time. Me besimin që se kam humbur ende se e vërteta sado vonë, do vijë një ditë, e kur kjo të ndodhë, do bërtasë më fort se gënjeshtrat 1 vjeçare të të gjithë këtyre të marrë bashkë. Dhe nuk e kam pasur të lehtë të hesht. Kam pasur e kam ende shumë për të thënë. Por sot boll!”, theksoi Tahiri.

Ndërsa për socialistët  e miqtë që i qëndruan pranë apo e tradhtuan, ish-ministri nuk ngurron të japë një mesazh në adresë tyre.

“Më kanë dhënë mundësinë të shoh njerëzit në sy, e të ndjej vështirësinë e tyre qoftë edhe për të më përshëndetur, jo më për të ndenjur me mua. Ashtu siç për të ndjerë forcën e miqësisë të atyre që pavarësisht kostove, më qëndruan afër pa marrë parasysh pasojat. Më kanë dhënë mundësinë të vë në provë dashurinë e familjes sime e të njerëzve më të dashur afër meje, që duronin akuza nga më monstruozet, e mbaheshin fort pas heshtjes sime. Më kanë dhënë mundësinë të njoh veten më mirë, të njoh njerëzit më mirë, politikën më mirë e drejtësinë më mirë. E unë kurrë nuk do harroj kush më qëndroi pranë në këtë kohë të vështirë, kush u largua pikërisht në këtë kohë të vështirë, e mbi të gjitha, kush e sajoi gjithë këtë kohë të vështirë”, theksoi Tahiri.

Ndërsa ka mbrojtur punën e tij si ministër i Brendshëm duke theksuar se “Jam krenar për çdo ditë të punës sime, se ndërtuam, dhe e them me plot gojën, “Policinë që Duam”, me burra e gra, djem e vajza që më në fund u bënë krenarë që shërbenin në Policinë e Shtetit. E sado të hedhin baltë, nuk e mbulojnë dot kurrë”.

Tashmë Tahiri pas vendimit të gjykatës italiane kërkon lirinë nga drejtësia shqiptare. “Pas kësaj, jam i lirë. E sot nuk kam dot fjalë të shpjegoj siç duhet çdo të thotë të jesh i lirë pasi ke fituar beteja kaq të rëndësishme në jetën tënde. E për këtë nuk kam as fjalë të falënderoj këdo që ka besuar apo edhe që ka dyshuar qoftë një herë të vetme tek unë. E vërteta na ndan e na bashkon përsëri. Të gjithëve. Por vetëm e vërteta ama”, mbylli konferencën ish-ministri, i cili është në pritje të betejës së dytë me drejtësinë, me atë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë