Shendet

Tabutë e meshkujve shqiptarë dhe mungesa e depistimit po shtojnë rastet me kancer të prostatës

Nga Gazeta ‘Si’- Kanceri i prostatës, një nga format më të përhapura të tumorit tek meshkujt, po njeh një rritje të vazhdueshme në Shqipëri. Të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se nga viti 2015 deri në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 1274 raste të reja, ku rritja më e ndjeshme është shënuar në periudhën 2021–2023, me kulmin në vitin 2022 kur u regjistruan 217 raste.

Në vitin 2017 ishin vetëm 131 raste, por vetëm pak vite më vonë, në 2021 dhe 2022 shifrat u dyfishuan. Edhe pse në 2023 u raportuan 180 raste, trendi mbetet shqetësues.

Shkaktarët kryesorë, mungesa e depistimit dhe plakja e popullatës

Ekspertët e lidhin këtë rritje me plakjen e popullatës, ndërkohë që evidentojnë edhe mungesën e një programi të gjerë depistimi.

“Ky kancer zhvillohet ngadalë dhe ka mundësi shumë të mira trajtimi nëse diagnostikohet në kohë,” shprehet Alban Ylli, ekspert i shëndetit publik.

Ai thekson rëndësinë e testit PSA (Antigjeni Prostatik Specifik), një analizë gjaku që ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Aktualisht po shqyrtohet mundësia që ky test të përfshihet në kujdesin parësor, për të parandaluar diagnostikimin e vonuar.

Prostata, organ jetik i lënë në hije

Prostata është një gjëndër e vogël, por me rëndësi të madhe për shëndetin e burrave. Ajo ndodhet mes fshikëzës së urinës dhe rektumit, dhe ka rol kyç në sistemin riprodhues, duke prodhuar lëngun që ndihmon në mbrojtjen dhe lëvizshmërinë e spermatozoidëve.

Megjithatë, ky organ shpesh mbetet i panjohur për pjesën më të madhe të meshkujve, derisa shfaqen problemet. Ndryshimet në prostatë zakonisht fillojnë pas moshës 40-50 vjeç, por simptomat shpesh injorohen ose justifikohen me moshën.

Simptomat që nuk duhen neglizhuar

Ndër shenjat më të zakonshme janë vështirësitë në urinim, rrjedhje e dobët e urinës, urinim i shpeshtë gjatë natës dhe ndjesia e paplotë e zbrazjes së fshikëzës.

Një nga problemet më të përhapura është Hiperplazia Beninje e Prostatës (BPH) – një zmadhim jo-kanceroz i gjëndrës që, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në komplikime serioze si infeksione urinare apo dëmtim të veshkave.

Por kërcënimi më i madh mbetet kanceri i prostatës, sidomos për burrat mbi moshën 60 vjeç.

Tabutë dhe heshtja që vonojnë trajtimin

Shqetësimet urinare apo ndryshimet në funksionin seksual shpesh mbeten tabu në shoqërinë shqiptare. Shumë burra ndihen në siklet të flasin për to, duke e vonuar kontrollin mjekësor dhe duke humbur mundësinë e diagnostikimit të hershëm.

“Një kontroll i thjeshtë një herë në vit mund të bëjë ndryshimin mes një trajtimi të suksesshëm dhe një sëmundjeje të përparuar,” theksojnë specialistët.

Rëndësia e ndërgjegjësimit

Gjithnjë e më shumë mjekë dhe organizata shëndetësore po punojnë për të ndërgjegjësuar publikun për shëndetin e prostatës por edukimi në familje, shkolla dhe media është thelbësor për të thyer tabutë dhe për të nxitur burrat të kujdesen për veten.

Prostata nuk është thjesht një gjëndër. Ajo është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të përgjithshëm mashkullor dhe kujdesi për të nuk duhet të fillojë vetëm kur shfaqen simptomat, por të jetë pjesë e rregullt e kontrollit mjekësor dhe vetëdijes për shëndetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë