Politike

Tabaku: Qeveria ka dështuar me korrupsionin, por beteja e opozitës duhet bërë në institucione

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku akuzoi shumicën socialiste në pushtet se ka dështuar me luftën kundër korrupsionit dhe se ka nxitur prej vitesh kulturën e korrupsionit, pa pasur asnjëherë vullnetin politik për ta luftuar fenomenin. Megjithatë, sipas zonjës Tabaku, opozita duhet t'i zhvillojë betejat e veta brenda institucioneve apo mekanizmave parlamentare që ngrihen mbi këtë çështje, sikundër komisioni i posaçëm i ngritur vetëm me votat e shumicës socialiste. Për Zërin e Amerikës, Tabaku flet mbi të ardhmen e opozitës, rolin e zotit Berisha në Partinë Demokratike, apo edhe vajzës së tij, Argita Malltezi.

E pyetur konkretisht për komisionin antikorrupsion, Tabaku tha: “Komisioni nuk është ngritur akoma. Ndërkohë që flasim është duke u ngritur. Unë e kam diskutuar me kolegët e grupit parlamentar mendimin që unë kam për këtë çështje. Nuk kam pse t’i bëj ato deklarata publike. Kam insistuar për pjesëmarrje në institucione gjithmonë. Kam nxitur gjithmonë që ne të kemi hapësira institucionale për të diskutuar. Shiko, unë qeverinë nuk e korrigjoj dot. Qeveria është kjo që është. Por ne duhet të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë për të nxitur, e që të na besojnë shqiptarët, që ne vërtet mund ta bëjmë ndryshe”.

Një qëndrim ajo e përcolli edhe për komisionin e dezinformimit.

“Unë gjykoj që çështja e dezinformimit po përdoret përsëri për qëllime elektorale. Ka një vizë shumë të hollë që e ndan atë edhe nga liria e medias, nga hapësirat që ka sot për mediat në Shqipëri, që kanë ardhur në përkeqësim. Që është nga treguesit e një demokracie që nuk funksionon. Shqipëria është gjithmonë në rënie sa i përket raporteve të reporterëve pa kufij. Mënyra se si komisioni u ngrit, se si u hartua dhe si u miratua, pa asnjë diskutim dhe nga ana tjetër, duke lënë edhe një hapësirë shumë të ngushtë për interpretim, nga pikëpamja e lirisë së medias, kishte nevojë për më shumë diskutime...”, tha Tabaku

Më tej ajo shtoi: “Se kush e ka ngritur korrupsionin në sistem, se kush e ka ngritur në piedestal, lidhur me ekonominë dhe mënyrën sesi funksionon, çdo gjë është shumë e qartë. Unë besoj që edhe problemet që kemi sot me ekonominë, lidhen pikërisht me korrupsionin. Mënyra sesi ekonomia është zhvilluar, mungesa e meritokracisë, sistemi i përqendrimit të ekonomisë në pak duar, është një aferë korruptive në vetvete. Thënë kjo, unë nuk kam qenë ndonjëherë për mospjesëmarrje. Nga kjo studio këtu, kam bërë thirrje për pjesëmarrje sepse bojkoti nuk na ka ndihmuar. Është më mirë të jemi sesa të mos jemi, për të mos i lënë atyre flamurin për këtë çështje kaq të rëndësishme.

Por nga ana tjetër e përsëris edhe një herë, minimumi dhe respekti për institucionin që ka opozita, por njëkohësisht hapësirën parlamentare, unë besoj që janë gjëra të rëndësishme, që ne duhet të diskutojmë. Opozita nuk mund të merret si e mirëqenë nga njëra anë, por nga ana tjetër, edhe ne kemi nevojë për shumë punë, për të vazhduar dhe për t’i treguar njerëzve, sesi opozita do ta luftojë korrupsionin. Janë disa mekanizma që ekzistojnë. Ekziston sigurisht një hapësirë e gjerë ligjore për të ndryshuar, por në fund të ditës duhet ky vullnet i çeliktë, për ta bërë këtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë