Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për rritjen e pagave në disa sektorë, shëndetësi, arsim dhe në fushën e sigurisë. Tabaku kishte pikëpyetje për argumentin e dhënë nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj se fondi për pagat do të sigurohet nga rritja e të ardhurave.
“Cilit zë të të ardhurave? Struktura e të ardhurave në vendin tonë e ka barrën më të madhe fiskale tek grumbullimi i TVSH-së, që ka filluar të bjerë si pasojë e uljes së konsumit. Ky i fundit, përmes reaksionit zinxhir, ka nisur të bjerë si pasojë e rritjes së çmimeve të inflacionit socialist.
Shqipëria renditet e fundit në rajon për pagën minimale e mesatare, për të ardhurat për frymë e për shumë tregues të tjerë. Nga ana tjetër inflacioni bazë është më i larti në rajon e gjasat jam që kjo do të vazhdojë. Ndërkohë që ka pasur dhe një rritje taksat në sektorin privat ku profesionistët sot do të paguajnë deri në 23 përqind, rritja pagës minimale do sjellë rritjen e pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetesore.
Në të gjitha rastet, situata është shumë problematike dhe ekonomia rrezikon të futet edhe më shumë në spiralen e një krize inflacioni që varfëron shqiptarët dhe rrit edhe më shumë çmimet. Një krizë që është në agimin e saj dhe që po varfëron Shqipërinë për të pasuruar vetëm pakicën për të cilën punon kjo qeveri”, tha Tabaku. Sipas saj, fatura reale e pagave është akoma e paqartë ashtu si dhe burimet që do ta mbulojnë nga buxheti!
“Pushtetit vendor i është thënë qe duhet të rrisë pagat pa i rritur transfertën në kushtet kur të paktën 11 bashki janë me të dhëna financiare në falimentim e të tjera kanë rritur stafin!
A mundet një herë të vetme të fokusohemi te reformat reale që e ndihmojnë tregun, rrisin konkurrencën, mbajnë profesionistët në Shqipëri dhe mendojmë në afatgjatë, jo për sot?!”, tha ajo
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



