GazetaSi - Kryetarja e Komisionit Hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, ka publikuar përgjigjen që ka marrë nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit lidhur me vendimin e 2014-ës për të shpallur emergjencën mjedisore në Shqipëri.
Sipas Tabakut, në përgjigjen e saj, ministria shprehet se një vendim i tillë i kësaj date nuk ekziston në protokollin e ministrisë, për sa i përket çështjes së inceneratorëve.
Në fakt në profilin e saj në Facebook, deputetja demokrate ka publikuar dy dokumente. Një i përket datës 5 shkurt i vitit 2014, ku me firmën e tre anëtarëve të komisionit kërkohet nisja e emergjencës mjedisore dhe marrja e masave për përmirësimin e situatës.
Por bashkëngjitur saj, është dhe një përgjigje zyrtare po nga Ministria e Mjedisit, ku thuhet se nuk ka një vendim të tillë dhe madje as procesverbal dhe relacion shpjegues të këtij vendimi.
Sipas saj është jetike për SPAK që të bashkojë të 3 çështjet në 1 të vetme, që të nisë një hetim të thelluar pasuror për çdo individ të përfshirë në vjedhjen e shekullit.
Deputetja shkruan se 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve janë dhënë për 3 inceneratorët me një vendim që nuk ekziston, ndaj i ka bërë thirrje SPAK që të “bashkojë të 3 çështjet e inceneratorëve në 1 të vetme, që të nisë një hetim të thelluar pasuror për çdo individ të përfshirë” në atë që ajo e quan “vjedhjen e shekullit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.