Taksa

Tabaku propozon rikthimin e akcizës së diferencuar për prodhuesit e birrës. PS e rrëzon

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku paraqiti sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme rikthimin e skemës së akcizës së diferencuar për prodhuesit e vegjël të birrës, një masë që synon të mbështesë prodhuesit vendas, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të nxisë investimet në industrinë artizanale të birrës në Shqipëri.

Sipas saj, në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikohet ndryshimi i një tatimi për të përcaktuar disa kritere të reja sa i takon birrave artizanale, me qëllim mbrojtjen e prodhimeve “Made in Albania”, nga rënia e euros apo dhe ekonomia informale.

Sipas saj, propozimi ligjor ka një bazë të krahasuar me praktikat e BE-së.

“Ky projektligj propozon rikthimin e një skeme të diferencuar të tatimit, që mbështet prodhuesit e vegjël vendas dhe harmonizohet me praktikat e mira të Bashkimit Europian,” tha Tabaku, duke vënë në dukje se kjo masë është në përputhje me Direktivën 92/83/KE dhe 92/84/KE.

Sipas Tabakut, ndryshimet e fundvitit 2022 që unifikuan tarifën në 710 lekë/HL për shkallë alkoolometrike dhe hoqën trajtimin e veçantë për prodhuesit nën 200,000 HL/vit, sollën pasoja të padëshiruara: rritje të kostove për prodhuesit vendas, ulje të konkurrueshmërisë dhe dobësim të trendit të investimeve në industrinë artizanale të birrës, një sektor me potencial zhvillimi, punësimi dhe turizëm kulinar.

Ajo tha se taksat e larta e kanë ulur me 11% prodhimin vendas ashtu siç e ka ulur prodhimin bujqësor TVSH-ja , apo rënia e eksporteve të fasonerisë nga politikat e larta fiskale.

Projektligji parashikon dy nivele të akcizës: Për prodhuesit deri në 200,000 HL/vit, tarifa reduktohet në 372,2 lekë/HL për shkallë alkoolometrike. Për prodhuesit mbi 200,000 HL/vit, vazhdon të zbatohet tarifa 744,4 lekë/HL për shkallë alkoolometrike.

“Kthimi i skemës së diferencuar nuk dëmton administrimin fiskal, lejon monitorim efektiv dhe redukton hapësirat për shmangie. Projektligji synon të vendosë një balancë të arsyeshme ndërmjet objektivave fiskale dhe nevojave të zhvillimit ekonomik të sektorit të birrës” tha Tabaku.

Sipas deputetes, rikthimi i akcizës së diferencuar do të rrisë konkurrueshmërinë, punësimin dhe formalizimin e industrisë së birrës, duke mbështetur prodhuesit vendas dhe zhvillimin e sektorit artizanal.

Relatori i projektligjit për rikthimin e skemës së akcizës së diferencuar për birrën, deputeti Erion Malaj, deklaroi se iniciativa e propozuar nga deputetja Jorida Tabaku nuk është parashikuar në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2024–2026 dhe se nuk është konsultuar me qeverinë dhe grupet e interesit.

“Projektligji nuk është pjesë e planit kombëtar dhe synon diferencimin e akcizës për birrën. Rikthimi diferencial nuk cenon administrimin fiskal deri në 200,000 HL/vit, por çdo ndryshim ka impakt financiar” tha Malaj.

Ai shtoi se, sipas Kushtetutës, çdo projektligj joqeveritar që kërkon ndryshime në shpenzimet e buxhetit duhet të marrë miratimin e Këshillit të Ministrave brenda 30 ditëve nga paraqitja, si dhe të shqyrtohet me grupet e interesit.

“Projektligji nuk është i shoqëruar me tabelë përputhshmërie me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndaj nuk e mbështesim miratimin e tij”, tha Malaj.

Në fund të diskutimeve, propozimi i Tabakut nuk u miratua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë