Nga Gazeta ‘Si’- Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka bërë një reagim në Facebook ku del kundër Bankës Shqiptare të Zhvillimit që do të ngrihet nga qeveria me nismën e re financiare.
Tabaku shkruan se sipas saj, ajo nuk është asgjë tjetër veçse një ‘firmë piramidale’ dhe ‘skemë falimentimi”.
Ajo thekson se dyshon që pas nismës qëndrojnë 3 qëllime jo të ligjshme të pushtetit. Tabaku e cilëson si një “mekanizëm klientelist që i shërben interesave të oligarkëve, për të shtrydhur fondet publike”.
“Ajo që po ndodh nuk është zhvillim, është megallomani dhe abuzim me pushtetin. Kjo qeveri po ndërton një “firmë piramidale shtetërore” me rrezik të madh për financat tona. Nga historia e dimë ku na çojnë skemat e tilla. Dhe nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri!”, shkruan Tabaku.
Sipas saj, po sfidohet sektori privat bankar dhe po ngrihet një skemë e ngjashme me inceneratorët, që kur oligarkët të kenë nevojë për para, Qeveria t’i paguajë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.
“Pse një bankë shtetërore? Pse tani? Kur kemi privatizuar të gjithë sektorin bankar 15 vite më parë dhe kur bankat private kanë arritur standarde të larta, çfarë mund të bëjë kjo bankë që sektori privat nuk e bën? Përgjigjja është e thjeshtë: një bankë që nuk është për zhvillimin e qytetarëve, por për interesat e oligarkëve që kërkojnë një tjetër mekanizëm për të shtrydhur fondet publike.
1. Financim për të paprekshmit: Kur bankat private refuzojnë të japin kredi për projekte të rrezikshme apo kompani pa garanci, Banka Shtetërore do jetë aty. Për inceneratorët. Për “miqtë.” Për skemat e mëdha që dështojnë.
2. Rrënimi ekonomisë: Çdo dështim i kësaj banke do të thotë humbje e fondeve publike, dhe në fund kush paguan? Ju, qytetarët, që sot luftoni për të mbijetuar mes taksave dhe inflacionit.
3. Kapja totale e shtetit: Pasi kanë privatizuar portet, aeroportet, dhe kanë dhënë me koncesion çdo gjë që ka vlerë, tani kërkojnë të futen në sistemin bankar – sektori i vetëm që funksionon pa ndërhyrje shtetërore. Kjo është një grabitje ekonomike, e bërë hapur”, shkruan Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.