Politike

Tabaku: Koorporata, projekti djallëzor i vjedhjes së pronave nga qeveria

Partia Demokratike pritet ta kontestojë fort projektin e qeverisë për krijimin e Koorporatës së Investimeve Strategjike në Shqipëri. Një projekt i qeverisë “Rama” që sipas ekspertëve po cilësohet si një favorizim ndaj të ashtuquajturve oligarkë.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e cilëson nismën e qeverisë për draftin që synon krijimin e Koorporatës së Investimeve Shqiptare si një përpjekje për vjedhjen e pronës private dhe publik me anë të ligjit.
Tabaku nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thekson se nisma është forma e radhës që qeveria ka zbuluar për të kamufluar vjedhjen e çdo prone dhe rrjepjen e çdo qindarke nga xhepat e qytetarëve është Korporata e Investimeve Shqiptare.
“Projekti djallëzor i qëndisur deri në detaje nga qeveria kanalizon çdo pronë publike (dhe private që është në administrim publik) të qytetarëve në duart e kryeministrit (Arkitektit real të këtij projektligji). Sipas ligjit të propozuar Korporata e Investimeve Shqiptare do të jetë e përjashtuar nga Ligji i Prokurimit Publik. Siç edhe është e qartë për gjithsecilin tanimë, qeveria ka ngritur një superstrukturë të cilën e përjashton nga një ligj që i nënshtrohet çdo korporatë private. Kjo do të thotë që kryeministri pasi bëhet pronar i çdo prone publike vendos vetë se si, kur dhe me kë do të bashkëpunojë në “zhvillimin” e pronës publike. Duke dalë mbi ligjin dhe duke përfituar nga pushteti i tij për të lidhur marrëveshje me këdo privat tjetër”, thekson nënkryetarja e komisionit parlamentar të Ekonomisë.

Më tej demokratja shton se Koorporata ndonëse është një institucion shtetëror njëkohësisht është i përjashtuar nga ligji i prokurimit publik mundet që të operojë në bazën e ligjit tregtar për korporatat.
“Pra kemi një krijesë hibride e cila është sa shtetërore aq edhe private, sa pronë e qeverisë po aq edhe pronë e një individi. Me pak fjalë kemi një korporatë gjoja në shërbim të publikut, por që në thelb është në pronësi të një individi. Për rrjedhojë çdo pronë private e cila mund të hyjë në syrin e Kryeministrit mund të “sekuestrohet” përmes mekanizmit të marrjes së pronës për “investime strategjike” nga Korporata dhe shfrytëzimit të saj për interesa personale private në bashkëpunim me privat. De facto duke i kaluar një privati tjetër. Shkurtimisht, KISH është hapi paraprak në të cilin Kryeministri angazhohet për të fundit herë përmes një ligji për të marrë çdo lloj prone publike dhe private në vend”, vijon më tej demokratja.
E gjithë kjo histori e shëmtuar, sipas Tabakut nisi me ligjin e Investimeve Strategjike, vazhdoi me Ligjet speciale të PPP-ve me emër biznesi, vazhdoi me ligjin famëkeq dhe antikushtetues të pronës e së fundmi dhe po vazhdon me KISH dhe me gjasë do të përfundojë me shpalljen përfundimtare të pronarit të vetëm të tokave të një njeriu.
“Prona është e shenjtë, është përveçse e drejtë kushtetuese është dhe e drejtë themelore e njeriut. Çdo ligj, çdo vendim që kanë bërë shkon në shkelje të kësaj të drejte. Pa respektuar të drejtën e pronës nuk ka investime të huaja, nuk ka integrim në BE, por së fundmi nuk ka as demokraci! Nga ndryshon kjo që po bën Rama me atë që bëri Enver Hoxha?”, përfundon Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë