Politike

Tabaku: Inceneratori i Tiranës, ajka e abuzimit, pse SPAK nuk ka thirrur ende Ramën, Ahmetajn e Veliajn

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku foli gjatë në Kuvend rreth debatit për inceneratorët, duke nënvizuar se në SPAK nuk janë thirrur ende protagonistët kryesorë.

“I madh dhe i vogël e ka të qartë që në aferën e 3 inceneratorëve që janë dhënë me koncesion gjatë dy mandateve të qeverisë Rama, emri i Lefter Kokës është i fundit në listë.

Kjo, nuk do të thotë që Koka është më pak i fajshëm apo më pak hajdut. Jo! Nuk po them këtë dhe as po ngre këtë alibi!

Ajo që dua të ringre sot në këtë parlament lidhet me një tjetër shqetësim. Duket qartazi, së paku deri më tani, se ish ministri Koka është një farë kurbani për të shpëtuar disa njerëz dhe akoma më keq për të mos e quajtur këtë aferë ashtu siç e meriton ajo.

Pasi kjo aferë kriminale është ideuar dhe zbatuar nga një Grup i Strukturuar Kriminal me seli në zyrat e qeverisë shqiptare.

Me të drejtë, ndonjë shqiptar mund të pyesë se përse unë e konsideroj këtë grup personash një Grup i Strukturuar Kriminal?!”, tha Jorida Tabaku ne Kuvend.

Tabaku tha ndër të tjera se, “inceneratori i Tiranës, është ajka e abuzimit me ligjin, korrupsionit dhe padyshim pastrimit të parave”.

“Ky incenerator na u shit fillimisht si me kosto rreth 132 mln euro ndërkohë që e vërteta e shifrave dhe kontratës ishte se vlera reale e koncesionit ishte 430 mln euro.

Kryebetonieri i Tiranës, Erion Veliaj, ndryshe nga sa kërkon ligji nuk e dërgoi këtë kontratë në Këshillin Bashkiak por vendosi me kokën e tij pranimin e kësaj kontrate duke i taksuar dy herë qytetarët e Tiranës.

Akoma më tej, inceneratori i Tiranës sot e kësaj dite sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka të investuar 31% të vlerës së programuar ndonëse ka marrë 99% të vlerës së projektuar nga buxheti.

Pra është e qartë që përtej korrupsionit kriminal në këtë kontratë ka diçka tjetër që nuk shkon. Janë krijuar mbi 40 kompani të tjera nga Klodian Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja me personazhe të ndryshëm që operojnë me kontrata fiktive si e si për të qarkulluar para të dyshimta dhe për të pastruar para.

Këto kompani dhe udhëtime me ministra edhe zv kryeministra në prani të së cilëve janë eksponentë të dyshimtë të transaksioneve monetare janë në fakt rruga që ndjek paraja…”, tha Tabaku

Deputetja e PD kishte një kërkesë për SPAK.

“Çudi sot e kësaj dite mbetet se si Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ka sjellë ende një shkresë për t’iu hequr mandatin Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurit, Alqi Bllakos dhe padyshim Edi Ramës.

Çudi sot e kësaj dite është se si SPAK nuk ka thërritur ende në hetuesi apo të marrë masë sigurimi për Qazim Sejdinin, për Armando Subashin dhe padyshim për Erion Veliaj.

Sot ne nuk habitemi se sa e korruptuar është qeveria e Ramës dhe se sa thellë në korrupsion janë futur xholat e tij në qeveri dhe parti.

Jo! Nuk habitem as unë, as kolegët e mi demokratë dhe madje po ju them as disa prej kolegëve të mi socialistë.

 Ne e dimë dhe e kemi të qartë pasi sado që Edi Rama dhe xholat e tij në PS përpiqeshin të fshiheshin për këtë aferë korruptive shenjat e tyre në vendin e krimit ishin të dukshme”, tha ajo

Më tej Tabaku shtoi: ”Nuk keni ç‘kërkoni më gjurmë kur ujqërit janë përpara syve i shohim të gjithë përditë dhe i kemi parë këto vitet e fundit duke mbrojtur të pambrojtshmen në debate televizive ku herë shkonte Rama dhe më pastaj Ahmetaj.

Ka ardhur momenti dhe çasti të veproni! Ka ardhur koha që t’i shërbeni qytetarëve dhe të mirës publike duke zbatuar ligjin dhe jo duke u bërë palë me shkelësit e tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë