Euro 2020

“Ta nxjerrim me barelë!” Kur portieri i Belgjikës kërcënonte Kristiano Ronaldon

Si ta ndalësh Kristiano Ronaldon? Gjatë 20 viteve të fundit pak ia kanë dalë dhe belgët duhet të gjejnë një zgjidhje sot në mbrëmje, por pa imituar ish-portierin e tyre Stijn Stijnen në vitin 2007.

Belgjika vjen si favorite në këtë Europian, por përpara ka kampionët në fuqi dhe sytë e të gjithëve janë te 5 herë fituesi i “Topit të Artë”, që sapo ka barazuar rekordin e Ali Daei si shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në nivel ndërkombëtar dhe që sigurisht ka dëshirën për të qenë i vetëm te ky rekord. Djemtë e trajnerit Martinez duhet ta ndalin, por e rëndësishme është që të mos mendojnë si Stijnen.

Stijn Stijnen, ish-portieri i Belgjikës. Gazeta Si, 27 qershor 2021

Në 2007-ën Belgjika nuk ishte kaq kompetitive sa sot dhe ndeshej me Portugalionë në kualifikueset e Euro 2008. Kur u pyet se si mund ta ndalte Ronaldon, ish-portieri belg, Stijnen, u përgjigj shkurt: Sapo të kalojnë 2 minuta, duhet ta godasim Kristiano Ronaldon që të mos vazhdojë më të luajë dhe të dalë me barelë. Nuk do t’u kërkoj shokëve t’ia thyejnë këmbët, por duhet të luajmë me karakter dhe fort në dyluftime".

Pas atyre fjalëve u krijuan shumë polemika dhe belgët u mbrojtën: "Stijnen kërkoi nga shokët një futboll agresiv dhe e krahasoi ndeshjen me një betejë, por deklaratat e tij janë keqinterpretuar. Nuk i kërkoi askujt që ta vriste Kristianon".

Kristiano Ronaldo, kapiteni i Portugalisë. Gazeta Si, 27 qershor 2021

Si përfundoi ndeshja? Ronaldo shënoi 2 gola në fitoren 4-0 të Portugalisë dhe pas ndeshjes gjithçka u harrua. "Stijnen më kërkoi të falur dhe unë e pranova. Për mua nuk ka probleme, janë gjëra që në futboll ndodhin dhe nuk duhen dramatizuar. E rëndësishme është që fituam". Të kërcënosh Kristiano Ronaldon para një ndeshjeje nuk është një ide e mirë për ta bërë atë më pak të rrezikshëm. Në Belgjikë shpresojnë që Kurtua të mos e bëjë këtë gjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë