Pritja mori fund dhe Kombëtarja kuqezi do të kthehet në fushë për eleminatoret e Kupës së Botës “Kanada-SHBA-Meksikë 2026”.
Ky është turneu i parë zyrtar pas “Euro 2024” që u zhvillua në Gjermani ku Shqipëria shënoi golin më të shpejtë të historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme me sjelljen e tifozëve të sheshe dhe tribuna stadiumesh të “pushtuar” nga “deti kuqezi”.
Në sfidat kualifikuese për botërorin e ardhshëm Shqipëria u shortua në grupin K bashkë me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. E pikërisht përballë “3 Luanëve” do të nisin këto eleminatore me objektiv mbërritjen në “Tokën e Premtuar”

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, përzgjodhi 26 lojtarë për dy ndeshjet e muajit Mars ndaj Anglisë dhe Andorrës. Bie në sy grumbullimi për të parën herë i Juljan Shehut (mesfushori i Widzeë Lodz në kategorinë e parë polake) dhe Etnik Brruti (mesfushori i Malishevës në Superligën e Kosovës).
Madje për këtë të dytin lindën polemika të shumta kur ai vendosi të largohej nga skuadra U21 e Kosovës ku mbante edhe shiritin e Kapitenit, duke zgjedhur të veshë fanellën kuqezi për vazhdimin e karrierës në nivel kombëtar.

Këta janë lojtarët e grumbulluar nga Sylvinho për ndeshet e 21 dhe 24 Marsit përkatësisht ndaj Anglisë dhe Andorrës:
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri dhe Simon Simoni.
Mbrojtës: Ivan Balliu, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Enea Mihaj.
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Etnik BRRUTI, Juljan SHEHU, Nedim Bajrami dhe Arbër Hoxha.
Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Rey Manaj.

Kuqezinjtë do të fillojnë grumbullimin të hënën e ardhshme në shtëpinë e futbollit në kryeqytet. Objektivi kryesor në këto eleminatore është kualifikimi për herë të parë në fazën Finale të një kampionati botëror dhe pse jo përmirësimin e rekordit të fitoreve që Shqipëria ka arritur në fushatat eleminatore të kompeticionit. Aktualisht më shumë fitore (6) kuqezinjtë, arritën në rrugën drejt “Qatar 2022”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.