Kombetarja

Sylvinho përballë pakënaqësive të ‘grupimeve’ që zbuloi humbja me Ukrainën!

Gazeta Si – Humbja me Ukrainën, të fundit në grupin B2 në Nations League dhe zbritja në Ligën C pas kualifikimit në Euro 2024, zbuluan disa problematika në kombëtare, që më parë rezultatet i kishin mbuluar.

Humbja 2-0 në Pragë në muajin tetor, një nga ndeshjet më të dobta të kuqezinjve, fati i shtyllave apo forma e mirë e Strakoshës, që e çuan ndeshjen në barazim 0-0 në “Air Albania” më 16 nëntor, na nxorri zbuluar më 19 nëntor.

Ndeshja finale e grupit, me objektivin për të dalë të parët, apo të paktën të qëndronim të dytët përballë Ukrainës që deri në ato momente ishte e fundit e grupit, na mundi për 10 minuta dhe na bëri të tregonim një figurë të keqe përballë rreth 21.000 tifozëve në stadium.

Sylvinhon nga jashtë, por edhe nga brenda, e duan 13 apo 14 lojtarë, formacioni i tij bazë me 3 zëvendësimet që thuajse ka përdorur gjithmonë, pjesa tjetër presin rastin të përpiqen të kontribuojnë për ekipin, por edhe të flasin tashmë publikisht, si Uzuni, pas ndeshjes së humbur me Ukrainën 1-2.

“Prisja ta nisja titullar, tek Granada jam i padiskutueshëm…”, apo deklarata jo shumë pozitive e kapitenit Ismajli: “Unë e kam përgjigjen për formacionin, por nuk dua ta jap, jam profesionist, në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka”.

Sylvinho, i cili deri dje, përpos punës së përkushtuar, ka qenë padyshim një trajner me shumë fat. Por edhe kjo duhet, megjithatë duhet edhe një “Plan B”, që braziliani, duke krijuar një “grup” të tij, ka krijuar paralelisht edhe një grup tjetër të pakënaqurish, që duket sikur vijnë në çdo grumbullim vetëm për stërvitje, të sigurtë që nuk do të kenë asnjë minutë lojë.

Kështu ka qenë prej kohësh rasti i Uzunit, i cili nuk është ndër të preferuarit e trajnerit brazilian, madje vetë ai deklaronte: “Uzuni është një sulmues i parë, ose i dytë…”.

Ndaj Ukrainës e futi si zëvendësues por, si sulmues të dytë që ne nuk e kemi praktikuar asnjëherë, të paktën që nga koha që Sylvinho ka marrë drejtimin e ekipit.

Ernest Muçi, ndër protagonistët e fitoreve të fundit të Beshiktashit, u fut në formacion në një ndeshje me ngarkesë kaq të madhe emocionale dhe me rëndësi, me një formacion të ndryshuar thuajse tërësisht, si për t’i bërë qejfin të gjithë atyre që e prisnin, apo edhe vetë lojtarit.

Trajneri i dha “shfaqjen më të rëndë” për të performuar 45 minuta, më pas u rikthye në “bazën” e vjetër dhe ekipi funksionoi.

Mungesa e Bajramit në formacion u justifikua me lodhjen, megjithatë, ndoshta ndeshja mund të fillonte me formacionin e pjesës së dytë, atë klasiken e Sylvinhos dhe më pas me “eksperimentin” në pjesën e dytë?!

Por zëvendësimet në minutën e 85-të, apo 89-të të Seferit ndaj Ukrainës, vështirë të argumentohen, apo ishin thjesht një lëvizje për t’u bërë, më tepër se sa për të ndryshuar diçka.

Megjithëse në pamje të parë duket se kemi një skuadër grup, pra kompakte në fushën e lojës, gjërat nuk janë njësoj edhe jashtë fushës apo 90 minutëshit. Prej kohësh në kombëtare ka grupime lojtarësh që “mbajnë” njëri-tjetrin,

Kështu, nëse në një grumbullim, lehtësisht mund të dallosh miqësitë e grupuara, si Ramadani, Seferi, Asani, Daku, Muja dhe Ismajli, apo grupimi tjetër Abrashi, Ajeti, Ghimshiti dhe Bajrami dhe një tjetër grup me Brojën, Mitajn, Muçin dhe Simonin.

Herë pas here grupime të tilla, sidomos në momente të rezultateve jo të mira dalin në pah duke mbrojtur njëri-tjetrin, apo edhe kritikuar njëri-tjetrin, siç ka ndodhur edhe në dhomat e zhveshjes pas kësaj ndeshjeje me Ukrainën, ku ndërhyrja e trajnerit Sylvinho ka ndalur kritikat dhe fajësimet mes lojtarëve, duke u përpjekur që të ndajnë fajin të gjithë nga ai vetë tek lojtarët.

Gjithsesi, pa fatin, me një grup besnikësh prej 14 lojtarësh, ndërkohë që grumbullohen 25 dhe pa “Planin B”, nuk mund të mendohet të luash kundër askujt, që kur janë emra të mëdhej, të themi është Italia apo Spanja, ndërsa kur janë Çekia apo Ukraina, themi se ku luajnë lojtarët e tyre…

Por për të shkuar në finalet e një Europiani dhe Botërori me këto ekipe do të luhet, pasi Andorra apo San Marino janë inferiorë plotësues.

Kështu që mister… listën me 40-50 lojtarë, duhet ta shfrytëzosh për të mos përdorur “finalet”, si me Ukrainën, për eksperiemte!

I vetmi fat që pati këtë herë braziliani, ishte se bëhej fjalë për Nations League, aktiviteti i testeve, por në Botëror, vendi i fundit, do të ishte “Game Over” edhe për të!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë