Kombetarja

Sylvinho në prag të Serbisë, ndjek lojtarë të rinj por i beson grupit aktual

Nga Gazeta Si – Traineri Sylvinho e ka kthyer në aksiomë – “Eshtë një ndeshje e rëndësishme dhe nuk është koha për eksperimente.

Kështu e filloi edhe sot konferencën për shtyp për prezantimin e listës së lojtarëve për ndeshjen ndaj Serbisë.

Për dëmtimin e Ardian Ismajlit tha se po pret stafin mjekësorë të Torinos, ndërsa për Klisman Caken tha se u grumbullua për të plotësouar boshllëqet e krijuara nga dëmtimet.

Dhe për këtë duhen lojtarë me eksperiencë dhe jo të rinj. Eshtë një ndeshje e rëndësishme por jo definitive për përcaktimin e rrugës drejt Playoff-it.

Duket se braziliani shpreson të marrë ndonjë pikë ndaj Anglisë, nëse humbet ndaj Serbisë.

Mehmetin e lë jashtë për shkak pozicioni, pasi në klub luan në të majtë ndërsa në Kombëtare në të djathtë.

Gripshin tha se e ndjek prej 6 muajsh dhe se është i kënaqur me ecurinë e Taulant Seferit.

Për Berishën dhe Muçin arsyeja e mungesës është e njëjta. Numri i lartë i portierëve dhe futbollistëve në krahun e majtë.

Por për brazilianin në stolin kuqezi, 25 lojtarë janë të mjaftueshëm dhe se ai nuk dëshiron të dërgojë shumë lojtarë në tribunë.

Ndeshjen e 11 viteve të shkuara e përmendi pak sepse Sylvinho mendon se futbolli ka avancuar.

Ndërsa ditët në dispozicion tha se i mjaftojnë për ta përgatitur ndeshjen në planin individual dhe në grup.

Për të ardhmen e tij thotë se i duhet të mendojë ai dhe jo Presidenti Duka, por nuk është ky momenti.

Ndërsa për ndërrimin e stadiumit nga Beogradi në Leskovac, tha se nuk përbën asnjë ndryshim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë