16 nëntor 2022, Shqipëri-Itali, ndeshja e fundit, apo më saktë 50 minutat e fundit të Armando Brojës nën fanelën kuqezi. Një dëmtim i lehtë muskular, që e detyron asokohe trajnerin Edeoardo Reja, ta zëvendësojë dhe që nga ajo kohë, për fat të keq, një nga talentet e mëdha të sulmit të Kombëtares shqiptare, ka hasur vështirësi të mëdha, duke qëndruar për mëse 9 muaj larg fushave të lojës. Dëmtimi i rëndë për të, erdhi në mesin e muajit dhjetor me klubin e tij Chelsea në Premier League. Ligamenti i gjurit të djathtë, është dëmtimi më i rëndë që mund të pësojë një futbollist dhe këtë e shpjegon koha e gjatë e rikuperimit: kaq shumë muaj të rrinte jashtë futbollit, deri më 24 shtator të këtij viti kur i rikthye në fushë.
Pavarësisht kësaj dhe kur dukej se kishim humbur një nga elementët kryesorë, ku hera-herës dukej se pa Brojën nuk mund të bënim aq mirë sa duhej, ardhja e trajnerit Sylvinho në fillim të vitit, ndryshoi rrjedhën e Kombëtares. Pas pesë ndeshjesh e shohim veten në krye të Grupit E me 10 pikë: me 3 fitore, një barazim dhe një humbje, apo me 8 golat e shënuar dhe vetëm 3 të pësuar; çka bëri që mungesën e Armando Brojës të mos e vuanim aq sa dukej.
Paraqitja shumë e mirë e Jasir Asanit, Taulant Seferit, Myrto Uzunit dhe padyshim Sokol Cikalleshit, të papërmbajtshmit Ernest Muçi, apo zbulimi i ri Mirlind Daku, sfumuan në pamje të parë një emër, që mendohet të jetë ndër talentet e mëdha të Premier League, jo vetëm të kuqezinjve. Megjithatë, rikthimi i tij në fushë e lojës një javë më parë, ishte lajmi kryesor i mediave britanke, jo vetëm kryefjala e klubit të Chelsea. Armando Broja është rikthyer dhe këtë rikthim e bëri në sytë e trajnerit të Kombëtares kuqezi Sylvinho, i cili bashkë me prezantimin e tij të parë me të, pas 8 muajsh në krye të pankinës së Shqipërisë, i ka dorëzuar edhe ftesën për të qenë i pranishëm në grumbullim që në ndeshjen me Çekinë, më 12 tetor në Tiranë.
Duket si absurd për atë çka na ka mësuar historiku i Kombëtares kuqezi, por këtë herë Sylvinho më tepër se për lojën në tërësi, do të jetë në “hall” të madh se kë nga këta emra, që po shënojnë thuajse çdo javë, do të aktivizojë në repartin e sulmit. Shqipëria asnjëherë më parë, nuk ka pasur luksin të ketë kaq shumë talente dhe njëkohësisht kaq shumë alternativa për të kontribuar në një tjetër arritje të madhe, siç është ëndrra jonë e radhës, Europiani “Gjermani 2024”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.