Kombetarja

Sylvinho e nis ‘mbrapsht’ Ligën e Kombeve. Shumë mungesa, duhen arnime!

Nga Gazeta Si - Liga e Kombeve fillon me shumë probleme për kuqezinjtë dhe Sylvinhos do t’i duhet të fillojë me “arnimet” e pikës më të fortë të kuqezinjve, që është mbrojtja.

Berat Gjimshiti do të mungojë për dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë për shkak dëmtimit që në ndeshjen e parë të kontrollit, në ditën 1 të grumbullimit në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Kapiteni kuqezi pësoi një dëmtim në seancën stërvitore të së hënës gjatë një testi miqësor me ekipin U-21 dhe më pas iu nënshtrua kontrolleve mjekësore. Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Gjimshiti ka pësuar një tërheqje muskulore dhe ka nevojë për disa ditë pushim për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Kapiteni kuqezi është rikthyer te klubi i Atalantës për të nisur menjëherë rikuperimin.

Në këto kushte, trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin e Kombëtares U21, Adrian Bajramin, i cili u stërvit dje me ekipin ndërkohë që aktivizohet në Portugali tek Benfika B, por që gjysmën e edicionit të shkuar e mbylli me dëmtime. Kjo e bën atë një zgjidhje emergjente, por jo shumë të sigurtë.

Një mungesë e rëndësishme, duke kujtuar që edhe Arlind Ajeti nuk ishte i disponueshëm pasi sapo është rikthyer nga një dëmtim. Kështu që qendra e mbrojtjes kuqezi që luajti nga minuta e parë në të trija ndeshjet e Kampionatit Europian nuk është më.

Asnjë minutë në Europian duke mos u preferuar, Silvinjo tani duhet t’i besojë Ardian Ismajlit, i cili do të jetë titullar dhe do të shoqërohet nga Marash Kumbulla, gjithashtu pas një periudhe të gjatë problemesh fizike, ndryshimesh skuadrash që kanë sjellë një rënie të ndjeshme rendimenti. I vetmi lajmi i mirë është se Kumbulla ka filluar të luajë rregullisht në ndeshjet e para me Espanjolin dhe kjo është një garanci më shumë. Për të plotësuar këtë repart, do të jetë Mario Mitaj dhe Elseid Hysaj ata që do ta nisin nga minuta e parë në duelin me Ukrainën më 7 shtator, ndërkohë që edhe Enea Mihaj është i  fundit që ju bashkua sot ekipit, gjithashtu me mungesë minutash dhe ndryshime klubi.

Ja se cilat mund të jenë dy variantet që trajneri Sylvinho do të përdorë të paktën në ndeshjen e parë

Qazim Laçi tregoi se është një lojtar i denjë për vendin e titullarit dhe këtë e bëri në Kampionatin Europian, një turne i përmasave të mëdha, ku edhe rëndësia e ndeshjeve është tepër e lartë. Ndërkohë me Asllanin dhe Ramadanin të cilët do të jenë nga fillimi, dilema e Silvinjos është nëse do t’i besojë Laçit nga minuta e parë dhe të spostojë Bajramin në krah, por me këtë variant do të sakrifikohej Arbër Hoxha i cili është në formë të mirë.

Ruajtja e Laçit për në pjesën e dytë, ku mund të ndihmojë skuadrën kur energjitë të kenë rënë, do të ishte më i favorshëm për krahun, sepse Bajrami do të futej te treshja e mesfushës me Ramadanin dhe Asllanin, ndërsa në krah do ta niste nga fillimi Seferi ose Hoxha, me këtë të fundit që është më i avantazhuar.

Sa i përket krahut tjetër, Asani është i konfirmuar, ndërsa në majën e sulmit do të jetë Rei Manaj, duke shtuar këtu mungesën e Armando Brojës dhe thërritjen me urgjencë të Myrto Uzunit, i cili për trajnerin në kombëtare tashmë do të ketë vend vetëm nëse mungon ndonjë sulmues, sepse roli i  beratasit në krah është i ezauruar.

Gjithashtu në sulm nuk është thërritur këtë herë as Ernest Muçi, një tjetër lojtar që konsiderohej si një alternativë shumë e mirë në repartin ofensiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë