Lojëra me Dore

Svitolina dhe Shviatek nga ‘ferri’ në ‘parajsë’, 16-vjeçarja Andreeva mahnit Londrën

Gazeta Si – Nëse Iga Shviatek, numri 1 në botë, do të fitojë në Uimbëlldon 2023, ndeshja e së dielës do të kujtohet si pika e kthesës për të në këtë turne. Polakja është kualifikuar për në çerekfinale, duke mundur me përmbysje një Belinda Bençiç të shkëlqyer.

Shviatek vazhdon rrugëtimin e saj, kur dukej jashtë turneut. Ajo anuloi dy ‘match point’-e, për ta mbyllur ndeshjen 6-7, 7-6 dhe 6-2. Kjo do të thotë se Arina Sabalenka, numri 2 në botë, mund ta kalojë në vend të parë të renditjes vetëm nëse fiton turneun dhe Shviatek nuk arrin të kalojë Elina Svitolinën, kundërshtaren e radhës që eliminoi Viktoria Azarenkën me ‘super tiebreak’ në setin e tretë.

Elina Svitolina. Gazeta Si, 10 korrik 2023

“Pas lindjes së vajzës, ky është momenti më i lumtur në jetën time”, – tha Elina Svitolina, ish-numri 3 në botë e rikthyer prej pak muajsh. Ajo eliminoi një tjetër nënë, Vika Azarenkën në një nga ndeshjet më të bukura të turneut. Një sfidë që u mbyll me fishekzjarrë në ‘tiebreak’-un e setit të tretë, 2-6, 6-4 dhe 7-6.

Në 2003-shin një 16-vjeçare me emrin Maria Sharapova fitonte ndaj dy kokave të grupit për të shkuar në turin e 4-t të Uimbëlldonit. Tani, 20 vjet fiks më pas, një tjetër 16-vjeçare, edhe ajo ruse, ka bërë të njëjtin rrugëtim. Me diferencën, duke qenë se kohët ndryshojnë, se e ka bërë në çdo hap të saj e ndjekur nga telekamerat e Netflix. Ajo quhet Mirra Andreeva, superstar në turneun e saj të 3-të.

Andreeva ka mundur së fundi kokën e serisë numër 22, Anastasia Potapovëm, 6-2 dhe 7-5. Do të ndeshet me Medison Keis në turin e radhës. Ajo është e vetmja minorene e mbetur në garë, adoleshentja e parë që arrin në këtë pikë të turneut pas Koko Gauf në 2019-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë