Kosova

Sveçla: Urdhri për hedhjen e granatës mbrëmë në veri ka ardhur nga Vuçiç

Nga Gazeta ‘Si’-Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi mbrëmë në Mitrovicën e Veriut është hedhur një granatë dore nga persona ende të panjohur.

Sveçla ka thënë se urdhri për hedhjen e kësaj granate ka ardhur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa rastin e ka ndërlidhur me arrestimin e tre serbëve të cilët dyshohen për krime lufte në Kosovë.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë. Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, shkroi Sveçla ndërsa shtoi se “inspirimi, mbështetja dhe urdhëri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviçit, Aleksandër Vuçiç.”

Ai gjithashtu shtoi se sipas tij Serbia jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë