Kosova

Sveçla: Pjesëtarët e Listës Serbe janë përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se beteja e vazhdueshme e autoriteteve të Kosovës për shtirje të sovranitetit në pjesën veriore të vendit, ka demaskuar aspiratat e Serbisë për territorin e Kosovës.

Ai tha se pjesëtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë qenë të përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri.

Sveçla nuk ka përmendi ndonjë emër në mënyrë specifike dhe deri më tani autoritetet e drejtësisë nuk kanë ngritur ndonjë aktakuzë ndaj zyrtarëve të lartë të Listës Serbe, ndonëse disa janë ftuar për intervistim për pjesëmarrje në protesta.

Ai ka thënë se mungesa e shtrirjes së plotë të institucioneve vendore në pjesën veriore në të kaluarën, ka mundësuar terren plotësisht të lirë për grupet kriminale dhe çdolloj aktiviteti ilegal.

Sveçla i ka bërë këto deklarata pas prezantimit të një raporti të Institutit për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT, për sigurinë në veri, pas sulmeve në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, dhe atë në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok në nëntor të këtij viti.

Kosova fajëson Serbinë për këto sulme që i konsideron terroriste, ndërsa Beogradi mohon gjithçka.

“Nuk mund të thotë Lista Serbe se nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur asistentë, shoferë, truproje, zyrtarë të Listës Serbe, kanë qenë pjesë aktive e sulmit, janë identifikuar dhe tash një pjesë e tyre janë në arrati”.

Në maj të vitit 2023, protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të plagosur mbi 90 paqeruajtës të misionit, disa të plagosur rëndë

Sipas Sveçlës, integrimi i strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit, ka mundësuar instalim të strukturave që i kanë raportuar Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

“Kjo faktohet jo vetëm me dorëheqjen e orkestruar të pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës dy vjet më parë, të cilët me uniformë policore, me pagë të Policisë së Kosovës, dhe me armë zyrtarë të policisë u kanë shërbyer politikave destabiluzuese të Serbisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë