Ekspozite

Suvenire për veshin e Van Gogh, kritikët: Nuk bëhet shaka me sëmundjet mendore

Një gomë e bërë në formën e një veshi: si veshi që Vincent Van Gogh e këputi vetë në një moment çmendurie, i zemëruar, pas një sherri me Paul Gauguin… Një sapun me figurën e Van Gogut mes lulediellit, lule që janë bërë emblematike për veprën e tij, me sloganin: “Për artistin e munduar që dëshiron të lahet me flluska”… Dhe një manual “ndihma e parë emocionale” me këshilla se si të reagoni në 20 kriza tipike psikologjike.

Ato janë ndër suvenirët në shitje në dyqanin Courtauld Gallery në Londër, me rastin e ekspozitës “Van Gogh, autoportrete”, një përmbledhje e shkëlqyer e autoportreteve të mjeshtrit të impresionizmit, së bashku me libra, kartolina dhe objekte të tjera të frymëzuara nga performanca.

Por nëse askush nuk gjen faj për komercializimin e artit, referencat për veshin e munguar të piktorit të madh holandez, i cili u vetëvra në moshën 37-vjeçare në vitin 1890, kanë nxitur kritika nga shoqatat kulturore dhe kritikët, siç raporton Guardian.

“Nuk bëhet shaka për çmendurinë dhe vetëvrasjen”, shprehet Charles Thomson, bashkëthemelues i Stuckist, një grup artistësh londinezë.

“Më duket një shfrytëzim sipërfaqësor, i pakëndshëm dhe i pakuptimtë”, shprehet David Lee, redaktor i revistës “The Jackdaw”.

“Vështirë se mund ta besoj se nuk është thjesht një shaka pa shije nga një tregtar në një pijetore pas punës”.

Nëse do të kishte një ekspozitë për Frida Kahlo-n, shton kritiku duke iu referuar piktores meksikane që humbi një gjymtyrë për shkak të gangrenës, “a do të shisnin lapsa në formën e një këmbë druri?”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë