Gazeta Si – Kokat e serisë numër 1 dhe 4 janë eliminuar në çerekfinale. Vazhdon përralla e tenistes ukrainase, që në gjysmëfinale do të përballet me çeken Vondrousova.
Iga Shviatek, numri 1 në botë, këtë herë nuk mundi të bënte mrekullinë. Pasi shpëtoi dy ‘match point’-e ndaj Belinda Bençiç, polakja është mundur në çerekfinale nga goditjet e mama Elina Svitolinës. Tenistja ukrainase ka dhuruar një nga historitë më të bukura në Uimbëlldon, duke fituar 7-5, 6-7 dhe 6-2.
So clean, @ElinaSvitolina 😮💨#Wimbledon pic.twitter.com/i81o7hvL93
— Wimbledon (@Wimbledon) July 11, 2023
Svitolina është rikthyer në fushë në muajin prill, pas një viti pa aktivitet për shtatzaninë, ndaj dhe askush nuk e priste këtë shpërthim. Ukrainasja mund të mbyllte ndeshjen në dy sete, nëse nuk do të lëkundej në ‘tie break’-un e të dytit.
Shviatek kryesoi 5-3 në setin e parë, por më pas e humbi kontrollin, duke u eliminuar në mënyrë surprizë. Tani rrezikon edhe ‘fronin’, nëse Sabalenka shkon në finale.
Svitolina do të ndeshet në gjysmëfinale me tenisten çeke, Marketa Vondrousova, që mundi Xhesika Pegulan. Amerikania ishte përpara 4-1 në setin e tretë, që ishte vendimtar, por në gjysmëfinale shkon Vondrousova, që e mbylli ndeshjen me rezultatin 4-6, 6-2 dhe 6-4.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.