Surpriza në çerekfinalet e turneut “Indian Wells”, ku janë eliminuar dy nga yjet e tij, Tsitsipas dhe Zverev. Stefanos Tsitsipas ka përshëndetur Kaliforninë. Greku, numri 3 në renditjen botërore, është mundur pas 3 setesh, 6-4, 2-6 dhe 6-4 nga Nikoloz Basilashvili.
Tenisti 29-vjeçar gjeorgjian kualifikohet kështu për në gjysmëfinalen e parë në karrierë në një “Masters 1000”, ku do të ndeshet me amerikanin Tajlor Fritz. Ky i fundit ka bërë surprizën tjetër në këtë turne, duke eliminuar Aleksander Zverev. Gjermani i njohur u mund me përmbysje, 4-6, 6-3 dhe 7-6. Në gjysmëfinalen tjetër do të ndeshen Grigor Dimitrov dhe Kameron Norri.

Tsitsipas dhe Zverev janë dy “viktima” të tjera të turnet, që më parë kishte humbur edhe Danil Medvedev, pas eliminimit nga një Dimitrov në formë të shkëlqyer. Rusi, numri 2 në botë dhe fitues i “Us Open”, ka pranuar se ndihej i lodhur dhe për këtë arsye ai nuk do të luajë në turneun e shtëpisë në Moskë, duke preferuar rikuperimin e plotë para turneut të Parisit.
Te femrat është ndërprerë ëndrra e Ons Jabeur, por pikët e fituara e lejojnë atë që nga e hëna të bëhet tenistja e parë arabe në “top 10” të tenisit botëror. Ajo u mund 2-0 nga spanjollja Paula Badosa (6-3, 6-3 me sete). Badosa do të ndeshet me Viktoria Azarenkën, që në sfidën tjetër mundi Jelena Ostapenkon 3-6, 6-3 dhe 7-5.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




