Futboll

Supershoping i Florentino Perez, 303 mln euro për 5 blerje deri tani

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka vendosur të mos kursehet këtë verë dhe që në fillimin e merkatos ai ka shpenzuar 303 milionë euro për të sjellë në ekip 5 lojtarë kalibri. Një shenjë e qartë se Reali duhet të jetë ndryshe nga sezoni i fundit, që ishte për t’u harruar. Madrilenët kanë marrë deri tani Eden Hazard, Luka Joviç, Ferland Mendi, Eder Miliato dhe Rodrigo. Blerja më e shtrenjtë është ajo e sulmuesit anësor belg. Deri tani janë forcuar repartet e mbrojtjes dhe sulmit.

Eden Hazard

1.Eden Hazard, 100 milionë euro
Goditja e madhe e verës për madrilenët është Eden Hazard, fitues i Europa League me Çelsin. Një lojtar i kërkuar me ngulm nga trajneri Zidan dhe presidenti Perez ia ka sjellë në ekip, duke derdhur në arkën e Çelsit shumën rekord të 100 milionë eurove. Pritet që belgu t’i japë sulmit të Realit një marsh më shumë.

Luka Joviç

2.Luka Joviç, 60 milionë euro
Pesë sezone, 60 milionë euro. Sulmues serb, Luka Joviç, ka kaluar në Madrid nga Eintraht Frankfurti. Ai është prezantuar mes flesheve të aparateve fotografikë, tifozëve në shkallët e stadiumit dhe duke puthur fanellën e bardhë. Futbollisti 21-vjeçar është pritur me të gjitha nderimet nga vetë presidenti i Realit, Florentino Perez.

Ferland Mendi

3.Ferland Mendi, 48 milionë euro
Mbrojtësi i Lionit, Ferland Mendi, është përforcimi i fundit i Realit në rend kronologjik. Lajmi për kalimin e tij te Reali u bë i ditur nga trajneri i Francës, Didier Deshamp, gjatë një konference shtypi për kualifikueset e Euro 2020. Ky futbollist i ka kushtuar Realit 48 milionë euro.

Eder Militao

4.Eder Militao, 50 milionë euro
Ishte blerja e parë e Realit pas kthimit të trajnerit Zinedin Zidan në stol. Mbrojtësi brazilian, Eder Militao, është marrë nga Porto për shumën e 50 milionë eurove. Konsiderohet një afrim i rëndësishëm për prapavijën, ku madrilenët kanë vuajtur shumë gjatë sezonit të fundit. Bashkë me kapitenin Ramos, mund të jenë një dyshe shumë e fortë.

Rodrigo

5.Rodrigo, 45 milionë euro
Ka firmosur shumë kohë më par Realin, por ka vazhduar të luajë në Brazil. Tani ka ardhur koha që të bashkohet me skuadrën e tij të re. Rodrigo u zyrtarizua verën e kaluar nga klubi spanjoll, që kishte arritur marrëveshjen me Santosin për sulmuesin e datëlindjes 2001. Për këtë lojtar Florentino Perez ka shpenzuar 45 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë